Kryetari i Partisë së Lirisë Ilir Meta ka ironizuar episodin e fundit të podcast-it të kryeministrit Edi Rama me kryebashkiaken e Durrësit Emiriana Sako, për të cilën shprehet se as administrata e vet nuk e njeh dhe nuk ia di emrin.

Sipas Metës, Sako nuk mund të dalë përballë kandidatit Igli Cara.

Përmes rrjeteve sociale, Meta thotë se janë të ngjashme rastet edhe me kandidatët e Ramës në Elbasan përballë Luçiano Boçit, apo edhe Erion Veliaj përballë Belind Këlliçit në Tiranë.

“A mund të dalë ajo zonja në Durrës, që edhe administrata nuk ia di emrin, përballë Igli Carës? A mund të dalë ai tjetri, “kukulla” në Elbasan, “Mr.Plastelina” që i thonë me të drejtë, përballë një personaliteti të një niveli kombëtar siç është Luçiano Boçi?

A mund të dalë ai që firmos për inceneratorët që nuk ekzistojnë dhe që shqetësohet se ku do t’i gjejë paratë Kryebashkiaku i ardhshëm i Tiranës, z.Belind Këlliçi për të garantuar transportin falas për 200 mijë qytetarë, që e kanë nevojë të përditshme dhe jetike këtë shërbim? Sigurisht, që ata nuk dalin dot.Bashkë Fitojmë!”, shprehet Meta.