Kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, ka deklaruar se qyteti i Korçës ka vulosur sot fitoren dhe ndryshimin përmes mitingut të “Aleancës për Shqipërinë Madhështore”, që sipas tij, mblodhi mijëra qytetarë.
Në një reagim të shpërndarë në rrjetet sociale, Meta shkruan se qytetarët e Korçës shprehën vendosmërinë dhe atdhetarinë e tyre, duke treguar se nuk pajtohen me atë që ai e cilëson si “Narkoregjim”.
“Korca do të votojë në mënyrë plebishitare ndryshimin dhe fitoren e Aleancës për Shqipërinë Madhështore”, u shpreh Meta, duke e cilësuar qytetin juglindor si simbol të kulturës dhe patriotizmit.
Ai vlerësoi kandidatin për bashkinë, Gentian Çala, si një mjek humanist dhe qytetar shembullor, dhe po ashtu përmendi deputetin Ervin Salianji, duke theksuar “sakrificën e tij të jashtëzakonshme në përballje me Narkoshtetin”.
Sipas Metës, mitingu i mbajtur sot në Korçë është sinjali i një fitoreje të madhe në zgjedhjet e 11 majit, që ai e cilëson si “ditën e çlirimit nga banditët, plaçkitësit dhe tradhtarët”.