Nga BUJAR QESJA

E kujtoj me shumë mall këtë burrë të mënçur dibran, që jetonte pranë fisit të njohur Hoxha, ardhur nga Dibra në vitin 1926. Aty ku u strehuan Rekajt, Lazimët, bëri strehën e tij edhe burri i rrallë Mid-hat Hoxha. Kam dorëshkrim të tij, ku e shënon emrin Mid-hat dhe jam i detyruar ta respektoj këtë. Kam qenë me fat, falë kjo edhe intuitës që zotëroja, të merrja takim me këto zotërinj, të cilët i kemi shumë të pakët. Mësoja shumë prej tyre histori, gjykim të ftohtë, maturi dhe pozicionim të saktë në shoqëri. Po sa të mirë që ishin? Po sa të respektonin?

Kur po ndjeja peshën që më takonte, në ushtrimin e punëve të mia, më çonte mëndja dhe trokitja në derën e mësuesit të njohur, por edhe të një polisportisti me vlera, të një njeriu që më frymëzonte sa herë piqesha me të. Ulesha. Nuk përtonte ky Mid-hat fisnik, me trup të fortë dhe gjithnjë me mëndje të kthjellët, të më bënte kafen turken me zhezven me ornamente. Dhe bisedonim pas kësaj si babë e bir, ulur mbi shiltet e divanëve modestë të shtëpisë.

Mbaj mënd, që këtë herë porta e shtëpisë së tij m’i gëzoi duart, për ti marrë një mendim se cilët janë 11 –të futbollistët më të mirë të “Teutës” në vite, që me krijimin e futbollit. Ishte 15 shtatori i vitit 1997. Aso kohe botoja gazetën time “Teuta Sport”. I lashë disa ditë kohë dhe iu çfaqa sërish pranë asaj dere, që kur e shikoj tani më ngacmon shpirtin dhe më shkund mallin për këtë Mid-hat Hoxhë aq bujar, aq të gjërë në shpirt dhe me një pamje që ngjasonte me malet e vendlindjes.

Mbajta frymën, kur ky Mid-hat Hoxhë më dorëzon një fletore katërlekëshe dhe që i kishte mbushur me durim të gjitha faqet. Shkrim për të të kënaqur, por mbi të gjitha edukatë pune dhe seriozitet, me të cilat kishte përcjellë kërkesën që i kisha drejtuar. Duke qenë vlerë, pse jo edhe e rrallë historike, falë durimit në kësi rastesh, do ta publikoj dhe ta bëj pronën tuajën, shënimin që më dorëzoi Mid-tat Hoxha. Është 25 shtator 1997. Kishte plotësuar 87 vite jetë dhe mbetej sërish pasionant dhe i zellshëm si më parë. Ta ndjekim fletoren e tij.

Z. Bujar Qesja!

Përshëndes inisiativën tuaj, për anketën e lojtarëve më të mirë të qytetit tonë të Durrësit.

Para se të jap mendim tim për lojtarët më të mirë, do të them se unë kam ardhë në Durrës në vitin 1926. Prandaj do të përshkruaj shkurtimisht për seicilin, veçoritë e lojtarit më të mirë. Lojtarë që kanë luajtë për një kohë më të gjatë me skuadrën e “Teutës” dhe mendime të çfaqura nga populli i qytetit të Durrësit, deri në vitin 1948. Mbas këtij viti, nuk kam mendime për ata që u shquen si lojtarë më të mirë, deri në mbarim të këtij viti 1997.

Kam mendim, kur mbetet gojore jo vetëm harrohet, por edhe shtrëmbërohet. Kur shkruhet ajo është histori, që mbetet për brezat që lënë mbrapa të pasuruar e ngritur në lartësi edhe futbollin.

Nuk është keq të vesh në dijeni gjithë sportistët dhe popullin sportëdashës, kur lindi futbolli dhe si u zhvillua në Europë dhe në botë. Për këtë i është dorëzuar prej meje një arikull nga Biblioteka Kombëtare z. Petraq Ikonomi, që tregon ku lindi futbolli në Indi dhe si u caktuan rregullat e lojës në Angli etj. Prandaj është gati historiku i futbollit në arshivën, që i kemi dorëzuar z. Petraq Ikonomi.

Kam mendmin që të pëfshihen në një listë të përgjithshme, të gjithë ata që janë marrë me lojën e futbollit. Kështu çdo qytetar durrsak, do të gëzohet kur të shikoj në listën e përgjithshme, emrin e gjyshit ose të babës së tij, të xhajës ose vëllait më të madh si futbollist.

Këtu më poshtë po shënoj mendimin tim për anketën, që është formë jo vetëm demokratike, por edhe reale për historinë në çdo fushë. Para viti 1926 familja Nushi: Telemak Nushi, Thoma Nushi dhe në mënyrë të veçantë Mikel Nushi, i cili ka luajtur një kohë të gjatë në skuadrën e sportklub “Teuta”. Ai është cilësuar si teknik dhe lojë elegante, gjithmonë në vijën e parë të sulmit. Pra Mikel Nushi, ka qenë një lojtar i cili dallohej për lojë teknike dhe shuter i mirë.

Nik Dovana. E meriton emri i stadiumit. Nik Dovana nuk do koment si portjer dhe frymëzues, për të mbajtur gjallë moralin e skuadrës së tij.

Rit Margariti. Qendërsulmues elegant në lojë dhe lidhte me mjeshtëri vijën e sulmit dhe ndikonte për shënimin e golave. Lojtari më simpatik i “Teutës” dhe me shumë popullaritet në masën e sportëdashësve

Nimet Tartari. Shtylla e skuadrës së “Teutës” në mes të fushës (centër alf), mbrojtës dhe sulmues. Lëvizte në të gjithë fushën.

Taq Pizha. Lojtar i kombëtares shqiptare në vitet 30-të. Trup elegant të një atleti. Përdorte të dy këmbët njëlloj. Mbrojtës i pakalueshëm për skuadrën kundërshtare.

Stas Moisiu. Shpejtësi të rrufeshme, deri në pozicionim më të mirë për të krosuar në qendër. Kështu i jepte mundësi shokëvë, për të shutuar për në portë. Këtë gjë do ta bënte Riti ose Mikeli.

Adem Milla. Krahu i djathtë i skuadrës, duke tentuar të pasonte në drejtim të krahut të majtë ku vepronte Stas Moisiu. Dallohej për shpejtësi dhe manovruar në qendër të sulmit.

Tom Gjiri. Mbas Nimet Tartarit si qendërsulmues ose center alf, për një kohë të gjatë e zëvëndësoi Tom Gjiri. Ai ka merita të veçanta për fuqizimin e lojës sulmuese, falë edhe teknikës që zotëronte.

Ibrahim Arapi. Atlet i përkryer që e ndihmonte ti zbulohej kundërshtarit. Ai luante në të gjithë fushën si në sulm ashtu edhe në mbrojtje. Populli durrsak kënaqej kur e shikonte, pasi ishte edhe shumë teknik dhe i paraqitshëm. Vraponte me shpejtësinë e erës.

Beqir Delvina. Mbrojtës ose thënë ndryshe mur i pakalueshëm për rivalët. Tash Pizha e Beqir Delvina ishin krenaria e skuadrës durrsake.

Nani Sallata. Mesfushor. Triblues i mirë, ambicioz dhe teknik. Loja e tij gjithnjë pëlqehej nga shikuesit.

Kam mendimin të ndikosh me anketë edhe për sportet e tjera si volejboll, basketboll, not, etj., duke kërkuar nga persona të këtyre kategorive, të të ndihmojnë si Dhimitraq Goga, Kristaq Bekridheli e të tjerë që kanë shënimet e duhura.

Përshëndetje dhe urime, për të dalë sa më mirë historiku i sporteve në qytetin tonë!

Me respekt, arsimtari dhe veterani i sportit Mid-hat Hoxha.

Këto shënime që janë në këtë fletore, të ruhen në arshivën tënde, si frymëzues e historian i sportit për Durrësin. 25 shtator 1997.

Mid-hat Hoxha i lindur në vitin 1910, është marrë me ski, futboll me skuadrën e sportklub “Teuta”, basketboll, volejboll dhe gjyqtar ndërkombëtar i futbollit. Bëhet fjalë për segmentin kohor 1928 -1946. Ka trajnuar edhe ekipin e të rinjve të basketbollit. Jam në qiellin e shtatë, që pas 26 vitesh të dorëzimit të kësaj fletoreje, më në fund mundësova jo vetëm çfaqjen e saj, por zbulova dhe përhapa sadopak edhe opinionin e shkëlqyer të emrit nderues Mid-hat Hoxha.

Mid-hat Hoxha, ishte mësues shumë i njohur. Ka dhënë ndihmesë në arsimin durrsak, duke nisur që në shkollën qytetëse, ish shkolla “10 korriku”, duke i dhënë mësim dhe mësuar basketbollin brezit të vëllezërve Vlash dhe Dhimitraq Goga.

E ndjeva shumë, largimin nga jeta të këtij mentari dhe eruditi me 18 tetor të vitit 2000. E kisha detyrë morale, këtë mosharesë ndaj tij. Ta mbajmë mënd: Mid-hat Hoxha historia e arsimit dhe e sporteve në Durrës.