Nga Mila Ballhysa

Tërmeti i 26 nëntorit 2019 dhe më pas pandemia Covid-19 i dhanë një goditje të fortë qytetit të Durrësit. Përveç pasojave afatgjatë në ekonomitë familjare, në sektorin e biznesit dhe turizmit, efektet negative të dy fatkeqësive natyrore janë ende mjaft të prekshme edhe në trashëgiminë kulturore. Në vitin 2020, të ardhurat nga vizitat në sitet arkeologjike dhe historike ishin zero, pasi Ministria e Kulturës operoi me bileta falas për turistët e huaj dhe vendas, ndërsa përgjatë verës së këtij viti, shifrat, megjithëse në rritje, janë larg atyre të regjistruara në vitin 2019.

Duke iu referuar të dhënave të Ministrisë së Kulturës, në periudhën qershor –gusht 2021, Amfiteatrin e Durrësit e kanë vizituar 1958 persona, ndërsa në vitin 2019 (para nisjes së pandemisë), këtë Monument Kulture të kategorisë së parë e kishin vizituar 9877 persona.

Për fatin e mirë, amfiteatri, që është unikal në llojin e tij në gadishullin e Ballkanit, nuk u dëmtua nga tërmeti. Ndryshe ndodhi me objekte të tjera të trashëgimisë kulturore, që ende sot, 23 muaj nga tërmeti janë të mbyllura për turistët dhe në pritje të restaurimit.

Amortizimi i këtyre monumenteve dhe kyçja e tyre i ka hequr Durrësit disa prej siteve të trashëgimisë kulturore, që mund ta prezantonin atë më denjësisht në sytë e vizitorëve vendas e të huaj.

Monumentet e Kulturës të pa aksesueshme nga turistët

Një dryn në portën e hekurt të paralajmëron se nuk mund të shkosh më tutje. Shtëpia e aktorit të famshëm Aleksandër Moisiu, njëkohësisht edhe Muzeu Etnografik i qytetit, qëndron e mbyllur që në ditët e para pas tërmetit të 26 nëntorit 2019. Megjithëse Këshilli Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore Materiale ka miratuar muaj më parë projektin për kryerjen e ndërhyrjeve përforcuese-restauruese, punimet nuk kanë nisur.

Lëkundja sizmike dëmtoi edhe më brishtësinë e shtëpisë me çardak, e vetmja në Durrës e llojit të saj, e ndërtuar në gjysmën e dytë të shekullit XIX. Rreth 300 objekte, veshje dhe enë të traditës së qytetit dhe trevës, si dhe stenda të biografisë familjare dhe artistike të Aleksandër Moisiut, nuk mund të shihen nga turistët. Por ky nuk është i vetmi Monument Kulture i kategorisë së parë, që është i pa aksesueshëm.

Në rrugën “At Erazmi”, ngrihet shtëpia e Fan S. Nolit. Në këtë godinë historike, ish-kryeministri shqiptar jetoi për rreth një vit (1914-1915). Ajo është në gjendje tërësisht të amortizuar. Në njërën nga hyrjet, dera e hekurit dhe dritaret e muruara “alla shqiptarçe” synojnë të mbajnë larg keqdashësit. Nga jashtë, duket amortizimi i theksuar i tavanit në katin e dytë.

Një nga godinat më përfaqësuese të Durrësit, në kartolina apo suvenire, është ajo e Bankës Kombëtare Tregtare, e ndërtuar më 10 nëntor 1928. Monumenti i Kulturës i kategorisë së dytë që nga qershori i vitit 2018 ka kyçur dyert, për t’iu nënshtruar restaurimit, por ky i fundit nuk dihet nëse ka nisur apo kur do të përfundojë. Dëmtimet në fasadë janë mjaft të dukshme, ndërsa nga dritaret e mbetura hapur prej kushedi sa kohësh dallohen qartë gjurmët e stërmëdha të lagështirës në tavan. Muret e bankës “stolisen” me njoftime për lokale që kërkojnë kamarier apo kompani që ofrojnë makina me qira.

Plani i Detajuar Vendor dhe projektet për Parkun Arkeologjik

Bashkia Durrës ka miratuar në shkurt të këtij viti, Planin e Detajuar Vendor për zonën në zhvillim nr.5,  e cila përfshin Parkun Arkeologjik. Pas tërmetit të 26 nëntorit 2019, qeveria Rama, me vendimin nr.399, dt. 13.05.2020, përcaktoi kufijtë e Parkut Arkeologjik të Durrësit, zonë ku janë planifikuar të kryhen një sërë ndërhyrjesh restauruese, të cilat planifikojnë t’i kthejnë qytetit bregdetar lavdinë e dikurshme dhe ta shndërrojnë në një destinacion të rëndësishëm të turizmit kulturor.

Në planin e detajuar, të hartuar nga studio “SON Engineering & Construction”, “A&E Engineering” parashikohen restaurime godinash, por edhe shembje të shumta. Në relacion theksohet se shembjet e godinave brenda kufirit të përcaktuar të Amfiteatrit, pranë bulevardit “Epidamn”, pranë Murit Rrethues bizantin, nga sheshi “Liria” dhe pranë bulevardit “Dyrrah” etj. do të realizohen, sepse ato kanë potencial arkeologjik për zbulime të reja.

Zbulimi i plotë i amfiteatrit është një çështje që zvarritet prej shumë vitesh.

Në relacionin e PDyV5 për hapësirën rreth e qark Amfiteatrit shkruhet se “pritshmëritë arkeologjike në këtë zonë në rast të prishjes së banesave të sugjeruara nga konsulenti, pritet që ato me shumë mundësi të jenë mbështetur mbi strukturat më të vjetra përreth Amfiteatrit ose në shtresën e varrezës së periudhës së vonë romake që gjendet brenda dhe jashtë perimetrit të tij”.

Bashkimi Europian në kuadër të projektit EU4Culture ka vënë në dispozicion të restaurimit të monumenteve të trashëgimisë kulturore 40 milion euro.

Në zonë aktualisht po zbatohet projekti i Fondit të Ambasadorit, i qeverisë së SHBA, në Kullën C, që është pjesë e mureve fortifikuese të qytetit. Punimet e nisura më shumë se katër muaj më parë, pritet të përfundojnë pas gjashtë muajsh. Kulla do të ringrihet  me blloqet e rrëzuara, disa dhjetëra tonëshe, që u shkëputën prej saj më 26 nëntor 2019.

Tenderi për rivitalizimin e tre monumenteve të Durrësit

Pas më shumë se një viti nga nënshkrimi i marrëveshjes mes Ministrisë së Kulturës, Bashkisë Durrës dhe Fondacionit Shqiptaro-Amerikan të Zhvillimit (AADF), më 9 qershor 2020, hidhet hapi i parë për vënien në jetë të projektit TID Durrës.

AADF ka shpallur në faqen e saj zyrtare tenderin për hartimin e projektit për restaurimin dhe rijetësimin e tre Monumenteve të Kulturës, kategoria e parë, Amfiteatri, Forumi Bizantin & Termat romake, si dhe rrugicat romake që bëjnë lidhjen organike mes objekteve të trashëgimisë kulturore të qytetit 3000-vjeçar.

Sitet arkeologjike në të cilat përqendrohet projekti i AADF-së janë ndër më të rëndësishmet për Durrësin dhe thithin një numër të madh vizitorësh.

“Ndihma e AADF-së për Durrësin, si një qasje për ndërhyrje strategjike rrjedhojë e dëmeve të shkaktuara nga tërmeti i nëntorit 2019 konsiston në një vizion më afatgjatë për të rimëkëmbur qytetin nëpërmjet turizmit kulturor dhe zhvillimit të biznesit”, thotë AADF në një komunikim me Citizens Channel.

Fondacioni Shqiptaro-Amerikan i Zhvillimit synon që përmes këtij projekti në Durrës “të rrisë numrin e vizitorëve dhe të bizneseve, të përmirësojë cilësinë e shërbimit që ato ofrojnë, gjë që në përfundim sjell rritjen e të ardhurave dhe punësimit në këtë zonë”.

Projekti i Fondacionit Shqiptaro-Amerikan të Zhvillimit, TID Durrës, parashikon ndërhyrjen restauruese apo përmirësuese në rreth 80 godina në zonën arkeologjike A & B.

AADF ka financuar tashmë Planin e Menaxhimit të integruar të zonës arkeologjike A &B të Durrësit dhe me zbatimin e tij synohet menaxhimi më i mirë i zonës historike të Durrësit dhe mbështetja e aplikimit të mundshëm në UNESCO.