Miranda Dervishi nga Shkafania e Durrësit, e la profesionin e saj si parukiere estetiste 27 vjet më parë, për t’u bërë një shofere kamioni e duke shëtitur të gjithë Europën, me këtë profesion sa të bukur, të vështirë e të rrezikshëm.

U largua nga Durrësi në moshën 19-vjeçare, me shumë endrra drejt të panjohurës, siç ikën pjesa më e madhe e emigrantëve shqiptarë. U vendos me bashkëshortin në zonën e Lombardisë, në vitin 1995, e me kurajën e trashëguar nga babai i saj vazhdoi shkollën per 5 vjet, ku mori të gjitha patentat.

Shpejt u bë nënë e dy djemve të vegjël, ndërsa mori me sukses patentë autobusi, kamioni dhe licencë taksie. Nuk u ndal me kaq, kërkoi që të merrte edhe patentë si pilote për avion, por kishte kaluar moshën 25-vjeçare që ishte kriter i qeverisë italiane. 

Babai i saj, një shofer i vjetër kamioni në Durrës, profesionin e tij ja trashëgoi djemve dhe dy vajzave. Rruga e parë si shofere kamioni ishte nga Piza drejt Londrës. “Një emocion i madh, kanë kaluar 20 vjet dhe më duket sikur ishte dje”, tregon Miranda për DurrësLajm“.

Për dy vjet me radhë në kamion së bashku me bashkëshortin. Rrugë të gjata jashtë Europe, por edhe brenda Italisë. Më pas shofere autobusi në Milano për 5 vjet të tjerë. Nënë e dy djemve të vegjël, Miranda sakrifikoi që në punë të paraqitej çdo ditë në 5:00 të mëngjesit dhe njëkohësisht të ishte nënë e mirë në rritjen e djemve. 

Prej vitit 2016 i hipi sërish kamionit, por këtë radhë me djalin e saj tashmë 20-vjeçar, i cili ndoqi rrugën e nënës së tij.

E gjithë familja e Mirandës ka përqafuar këtë profesion. Vëllezërit, motra, nuset e vëllezërve punojnë shoferë kamioni brenda dhe jashtë italisë.

Vajza e saj 13-vjeçare dëshiron të drejtojë mjete të renda. “Ka shprehur dëshirën për t’u bërë pilote avioni, dhe i ka të gjitha mundësitë të bëhet. Unë edhe dy djemtë do vijojmë të punojmë shoferë kamioni”, thotë 46vjeçarja.

20 vjet duke drejtuar makina të rënda është treguar shumë e kujdesshme. “Vëmendja është absolute, hipi në timon dhe jam e përqëndruar aty. Nuk jam përfshirë asnjëherë në aksident. Kam parë shumë aksidente, kam shpenzuar orë të tëra në rrugë të bllokuara nga aksidentet. Vetëm një herë ka ndodhur, kam thyer pasqyrën e kamionit të vëllait. Por vetëm kaq”, thotë e qeshur Miranda.

Është kthyer pak ditë më parë nga Italia, së bashku me të motrën Matildën. Të dyja motrat kanë lënë kamionët për të qëndruar një javë pushim pranë të afërmve në Durrës.

Këtë profesion e duan, e bëjnë me dashuri dhe kur ka dashuri nuk ndjehet lodhja në timon, thonë motrat në këtë intervistë për “DurrësLajm“, të cilat po shijojnë rrezet e diellit në Durrës.

K.H.