42 familje të pallatit nr.196 në lagjen nr.13 të Durrësit jetojnë në kushte ekstreme, në pallatin e dëmtuar nga tërmeti në shkallën DS4. Riforcimi i godinës së tyre 8 katëshe, i nisur një vit më parë, është ndërprerë duke lënë pas këto pamje që nuk kanë nevojë për shumë koment.

Në protestën e organizuar ditën e sotme, ata kërkuan përfundimin e riforcimit të godinës, pasi jetojnë mes frikës dhe pasigurisë për jetën.

Pa bonus qiraje prej 7 muajsh tashmë, shumë familje të qytetit të Durrësit janë detyruar të rikthehen në banesat e tyre, jashtë çdo standarti sigurie.

Si ky pallat në zonën e plazhit ka dhe shumë të tjerë në Durrës, por protestat e vazhdueshme të banorëve po bien në vesh të shurdhët.

Në bashkinë Durrës janë 85 pallate, ku ende nuk kanë përfunduar punimet përforcuese, ndërkohë që pushteti lokal ka kërkuar fonde nga qeveria për 83 objekte të tjera.

Dy ditë më parë, ndërsa inspektonte së bashku me kryeministrin Edi Rama sitin e pallateve të reja që po ndërtohen për të pastrehët e tërmetit në Krujë, zëvendës kryeministtja Belinda Ballaku nuk dha asnjë afat për përfundimin e procesit të rindërtimit në Durrës, ndërsa në bashki të tjera është drejt përfundimit.

“Jemi duke ecur mirë. Kemi bërë një rikoordinim me të gjitha bashkitë, përveç bashkisë së Shijakut, e cila tashmë e ka mbyllur procesin. Pretendojmë që brenda dhjetorit të mbyllim Kavajën, Rrogozhinën dhe Vorën. Sigurisht Durrësi dhe Lezha janë ato që duhen parë dhe duhet vazhduar.”, tha Balluku.

Kur edhe një muaj na ndan nga 4-vjetori i tërmetit shkatërrimtar të 26 nëntorit 2019, Durrësi mbetet bashkia me ecurinë më të ngadaltë të procesit të rindërtimit, ndërsa qeveria ka “harruar” subvencionimin e qirasë.

M.B.