Ndahet nga jeta shkrimtari dhe politikani I njohur durrsak, Zyhni Beqiraj.

I rritur dhe formuar në Durrës, në një familje me prejardhje nga Ulqini, Zyhni Beqiraj ka kontribuar ndër vite në jetën politike dhe kulturore të qytetit bregdetar.

Beqiraj u nda nga jeta në moshën 77-vjeçare, ndërsa për vite me radhë ishte I prekur nga një sëmundje e rëndë, që e përkeqësoi gjendjen e tij shëndetësore.

Homazhet për të ndjerin do të mbahen ditën e martë në hollin e Qendrës Kulturore “Aleksandër Moisiu” në Durrës, në orën 10.00-12.00.

Pak muaj më parë, Zyhni Beqiraj prezantoi botimin e tij më të fundit “Mbi dallgët e jetës”, një rrëfim për jetën, momentet më të rëndësishme të mbetura në kujtesë dhe ato që kanë shenjuar rrugëtimin e tij të gjatë si mësues, funksionar shtetëror, deputet.

Botimi më i fundit i Zyhni Beqirajt ishte një autobiografi e tij, që nga fëmijëria e hershme, rinia, dashuria për rrënjët e tij, Ulqinin, angazhimet politike pranë Partisë Socialiste Durrës dhe Kuvendit të Shqipërisë, por edhe veprimtaria letraro-artistike.

Pavarësisht moshës së thyer dhe sëmundjes, në intervistën e dhënë pasditen e 22 qershorit për “DurrësLajm” Beqiraj theksonte se kishte shumë projekte të tjera për të vënë në jetë, por sëmundja nuk i la mundësinë t’i çonte deri në fund.