Prej një jave, punimet në hyrje të qytetit të Durrësit janë ndërprerë pa ndonjë njoftim. Bëhet fjalë për zonën në afërsi të Urës së Dajlanit, ku pak ditë më parë kryeministri Edi Rama zhvilloi një vizitë për të inspektuar ecurinë e punimeve dhe për të theksuar rëndësinë e këtij investimi për infrastrukturën e qytetit.

Aktualisht, makineritë janë të fikura dhe në kantier nuk vërehet asnjë aktivitet. Kjo situatë ka ngritur shqetësime te qytetarët dhe drejtuesit e mjeteve, pasi ndalesa e papritur e punimeve ka sjellë konfuzion dhe vështirësi në qarkullim, ku duhet theksuar se trafiku në këtë zonë me fluks të madh mjetesh që hyjnë e dalin nga Durrësin, paraqitet tejet i rënduar prej një muaji.

I shoqëruar nga kryebashkiakja Emiriana Sako, kreu i qeverisë u informua më 21 prill për ecurinë e punimeve dhe teknikalitetet e projektit në fjalë, një aks 1.3 km i gjatë që do të rindërtohet tërësisht, duke nisur nga nyja e Shkozetit deri te stacioni i trenit në qendër të qytetit, e do të ketë të gjithë elementët e nevojshëm të infrastrukturës rrugore; shtresat asfaltike; ndriçim, brez i gjelbër; korsi biçikletash; korsi për lëvizjen e mjeteve, duke i dhënë një pamje krejt tjetër portës tokësore të Durrësit.

Ky investim i rëndësishëm i BERZH, i cili zbatohet nga Fondi Shqiptar, pritet të shndërrojë vërtet hyrjen e Durrësit, por me këto ritme finalizimi i tij duket larg dhe rraskapitës për drejtuesit e mjeteve që iu duhet të kalojnë aty çdo ditë….