Ndërpritet numërimi në KZAZ nr.23 dhe nr.24 në Durrës.
Pak minuta më parë është pezulluar procesi i numërimit të votave në KZAZ-në nr.23 në Durrës, të vendosur tek shkolla “Marie Kaçulini”. Shkak është bërë kërkesa e grupeve të numërimit për të bërë disa orë pushim dhe për të rifilluar më pas në orën 16.00.
Në këtë KZAZ janë numëruar deri më tani 24 kuti, nga 84 që ka në total.
Po ashtu është ndërprerë procesi edhe në KZAZ-në nr.24 tek shkolla “Naim Frashëri”.
Në bazë qarku, referuar të dhënave të KQZ-së, nga 166 kuti të numëruara (493 janë në total) kryeson PS me 25048 vota, PD-ASHM ka 19044, ndërsa partia Mundesia renditet në vend të tretë me 1176 vota.
Deri më tani nuk është numëruar asnjë nga 20101 votat e diasporës, që kanë mbërritur me zarf.