Jo pak herë përgjatë këtij viti kemi trajtuar problematikën me mbetjet urbane dhe ato inerte në lagje të ndryshme të Durrësit. Gishti shpesh është drejtuar nga NSHK, për mos tërheqjen periodike të plehrave.

Qyteti bregdetar e ka vuajtur mjaft herë përgjatë këtyre muajve ndotjen mjedisore, madje edhe në kulmin e sezonit turistik.

Por nuk janë vetëm shërbimet që shpeshherë lënë për të dëshiruar nga ana e Ndërrmarjes së Shërbimit Komunal.

Në jo pak raste, vetë qytetarët kontribuojnë në shtimin e ndotjes mjedisore në hapësirat përreth blloqeve të pallateve ku banojnë.

Denoncimi i mëposhtëm vjen në redaksinë e “DurrësLajm” nga një qytetar, i cili denoncon përmes pamjeve filmike depozitimin e mbetjeve urbane e inerte nga vetë banorët e pallatit.

Pavarësisht paralajmërimit të vendosur në hyrje të pallatit, ku apelohet për ndërgjegje qytetare të gjithsekujt, sepse hapësirat e përbashkëta janë pronë e të gjithë komunitetit aty, problemi duket se vijon prej kohësh

Në afërsi të hyrjes së pallatit janë depozituar gjithëfarëlloj mbetjesh, megjithëse aty nuk është pikë grumbullimi mbeturinash apo inertesh.

“Është e disata herë që pastrojmë me shpenzimet tona mbeturinat e lëna këtu. Nëse nuk doni probleme, respektoni rregullat e bashkëjetesës në komunitet”,- shkruhet në hyrje të pallatit.

Nëse kërkojmë mjedis të pastër përreth nesh, të gjithë së bashku duhet të kontribuojmë.