-I privilegjuar në fokusin e shoqërimit me të

Nga BUJAR QESJA

Fatin si ta kërkosh, thuhet diku në mënçurinë tonë. Dhe unë sigurisht e kam të shkruar në ballë këtë fat, veçanërisht kur jam në shoqërinë dhe miqësinë e Edmond Hysit. Ky Hys i pikturës, është i datëlindjes 27 korrik të vitit 1957. Mua më takon të shprehem sa i mirë që është. Por e ndjej, se nuk jam i vetëm i dehur nga miqësia me të, që vendos të them kështu. Në fakt ai kështu është, paçka se unë bërtas kur e shpreh këtë.

Edmond Hysi, kreu me arritje studimet në shkollën e mesme artistike “Jan Kukuzeli”. E dashuroi pikturën dhe nuk hoqi dorë prej saj edhe sot e kësaj dite që shkruajmë për të. Respekt për pasionin. Përkushtim për ta çfrytëzuar talentin dhe për ta bërë pjesë të pandarë të jetës. Sotir Ngresi, vëllai i Kostandinës, e ka shokë për kokë. Por edhe unë e bëra shumë shok, pasi Mondi është aq i dashur, aq i sinqertë, aq i drejtë, aq hokatar, aq shoqëror dhe miqësor, sa më detyron të bërtasë me të madhe:

Çfarë fati që e kam shok dhe mik!

Nuk do të lodhem të përmënd me sa të mundem, rëndësinë e kësaj që quhet konaku im. I dua njerëzit dhe takimi me to më frymëzon, më jep oksigjenin aq të domosdoshëm jo vetëm për moshën, por edhe për profesionin që kam.

Edmond Hysi është me origjinë nga Skrapari, por ka marrë diplomën e durrsakut që në lindje. Është 67 vjeçar. Ka dy vajza si drita, të cilat jetojnë dhe punojnë në Montekarlo. Mondi me të shoqen, kanë hapur një biznes me artet dhe stampimet grafike. Është edhe kançelari. Është edhe studio reklamash, e shumë çfarësh. Dhe punojnë shumë, deri në lodhje. Shpërblehen për këtë punë të madhe që kryejnë. Por janë edhe të mirë. Durraskët i duan dhe i respektojnë.

Më erdhi në mëngjesin e 23 marsit 2024, në këtë që thashë se quhet konaku im . E konsmuam atë të mirë kafe dhe humbëm në biseda interesante dhe me vlerë kujtimesh. Mondi ka edhe shumë humor. Është imitues i përsosur. Por shpirtin, zemrën e ka shumë të madhe. Edhe në se e krahasoj me thellësinë dhe sipërfaqen e “Adriatikut” nuk jam gabim.

E dua shumë këtë Mond Hysi edhe se është punëtor i madh. Punon jo vetëm në biznesin e tij, por gjen kohë të pikturoj. 11 piktura të tij, ndër qindra do ti publikoj në këtë shënim. Janë tërheqëse. Nuk nisem t’i bëj reklamë, se këtë ja bën përkushtimi dhe talenti i tij i spikatur. Absurdja është e gërshetuar me realitetin. Surrealja ka nota të jetës, që prekim për çdo ditë. Fantazia e tij nuk ka kufi. Pikturon e pikturon në guash, na vaj, akuarel e gjithçfarësh. Peneli i tij, nuk ka kohë të ftohet.

Kërkesat janë të pafund për pikturat e tij. Ka kënaqësinë të hapë një ekspozitë, që t’ia rrisë karatët e personalitetit dhe profesionalizmit në Montekarlo, vend i cili shoqërohet nga një publik i borgjezuar mirfilli, me shije të kohës dhe të avancuar.

Më shijoi kafeja me të. Kur vjen Mond Hysi, dita më duket më ndryshe dhe shija e jetës më përmirësohet dukshëm. Janë durrsakët e mi, të bukurit e mi, të mirët e mi. Ky është privilegji i asaj, që gjithnjë do të quhet konaku im. I bukuri konak, për të bukurit njerëz.

Mond Hysi, mrekullia e mëngjeseve të mia sa herë që më viziton. Kjo vërtet përbën kënaqësi dhe privilegj për mua, për jetën dhe frymëmarrjen time.

Sukseset i paç me pash Mondi! Sa i takon respektit dhe vlerësimit tim për ty, ka për të mbetur i gjithkohshëm.

Të pres sërish Edmond Hysi!

Bujar Qesja

Durrës: 23 mars 2024