Të mërkurën e 29 shtatorit, në orën 18:00 në ambientet e Pallatit të Kulturës në Durrës, ish-kryeministri Sali Berisha do të mbajë foltoren e katërt.

I pranishëm në këtë takim, do të jetë drejtuesi politik i qarkut Durrës dhe kryetari i Këshillit Kombëtar, Edi Paloka, i rrjeshtuar ndër të parët në krah të Berishës, pas vendimit të kryedemokratit Basha për të përjashtuar paraardhësin e tij nga Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike.

Deputeti dhe kryesuesi i listës së qarkut konfirmoi për “DurrësLajm” pjesëmarrjen në foltoren e nesërme.

Kryetari i degës dhe deputeti Ferdinant Xhaferaj preferoi të mos jepte një përgjigje direkte, duke u shprehur: “Ka kohë deri nesër.

“DurrësLajm” mëson se në këtë takim do të marrin pjesë edhe disa prej 5 nënkryetarëve të degës.

I pranishëm do të jetë edhe ish-kryetari Osman Stafa, i cili në komunikimin për “DurrësLajm” tha se nuk merr pjesë as për Berishën as për Bashën por për Partinë Demokratike.

“Nëpërmjet pjesëmarrjes dhe ballafaqimit funksionon demokracia”, thotë ai.

I kontaktuar nga “DurrësLajm”, deputeti Oerd Bylykbashi nuk ka konfirmuar pjesëmarrjen e tij, por e lë si mundësi të hapur duke iu referuar postimi të tij në Facebook.

Një tjetër pjesëmarrës në këtë foltore do të jetë edhe kryetari i Forumit Rinor, Artjon Barjamaj, si dhe funksionarë të lartë të Partisë Demokratike, dega Durrës.