Procesi i votimit në Durrës ka nisur me disa problematika teknike dhe organizative në disa qendra votimi, duke shkaktuar vonesa dhe tensione.
Në disa prej tyre të pozicionuara tek shkolla “Maria Kaçulini”, shkak është bërë sistemimi i materialeve zgjedhore.
Ky problem ka vonuar nisjen e procesit të votimit dhe ka shkaktuar shqetësime mes qytetarëve dhe komisionerëve.
Një tjetër problem është shfaqur në disa zona të tjera, përfshirë lagjen nr. 6 dhe Arapaj, ku pajisjet elektronike për identifikimin e votuesve (PEI), kanë pasur probleme të funksionimit, duke penguar përkohësisht procesin e votimit.
Po ashtu, një incident i rëndësishëm ka ndodhur në qendrën e votimit të ngritur në Qendrën Kulturore të Durrësit, ku ka pasur një debat me tone të larta mes anëtarëve të komisioneve dhe gazetarëve. Debati ka nisur pasi komisionerët nuk i kanë lejuar gazetarët të filmojnë disa pjesë të nisjes së procesit të votimit.
Ndërkohë, për vonimin e procesit të votimit shkak ka qenë edhe mungesa e komisionerëve të Partisë Demokratike (PD), të cilët nuk ishin të pranishëm në minutat e para të hapjes së kutive të votimit. Për shkak të kësaj mungese, disa qytetarë që ishin paraqitur për të votuar, janë detyruar të kthehen pas, pasi nuk mund të ushtronin të drejtën e tyre të votës derisa komisionerët e PD-së nuk ishin të pranishëm.