Ka nisur në Durrës edicioni XXI i Festivalit Ndërkombëtar të Muzikës së Dhomës, ku grupe të reja dhe emra shumë të njohur në muzikën ndërkombëtare nga Gjermania, Zvicra, Austria, Amerika, Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia e Veriut do të interpretojnë për 7 net disa prej pjesëve më të bukura të muzikës klasike.
Nata e startit shndërroi ambientet e Muzeut Arkeologjik në një skenë të muzikës klasike me interpretimin e Kuartetit “Arola” nga Zvicra dhe sopranos Teuta Nicolet Dit Felix, një mbrëmje që emocionoi të gjithë artdashësit.
Teuta Nicolet Dit Felix:“Ndjehem shumë e lumtur. Është hera e parë që Zvicra merr pjesë me kuartetin “Arola” dhe me perla të Shqipërisë do të kemi këngë shqiptare tradicionale të përshtatura për Muzikën e Dhomës dhe kjo është risi për këtë festival. Kemi kënaqësinë e madhe që me këtë pamje kaq të bukur ta ndajmë këtë eksperiencë në vendin tuaj.”
Për drejtuesen artistike Nevila Kalaja, ky festival prej 21 vitesh është një festë që përsëritet, por që kurrë nuk përsërit veten. E këtë vit për publikun që e mirëpret gjithnjë me dashuri, ka dhe një risi për dy vendtakimet mes artistëve dhe publikut.
Nevila Kalaja: “Chamber Fest Durrës ka vendosur të hapë dyert drejt vendeve ku janë tashmë turistët. Kemi qenë në Kepin e Rodonit, në Shkodër. Por këtë vit kemi vendosur që në hotel “Melia” të zhvillojmë Festival Albania. Është një ideim i një mjeshtri shumë të madh të muzikës dhe bashkë me të unë jam drejtore artistike e një festivali me përmasa më të mëdha artistike. Ky festival nuk do të qëndrojë vetëm në Durrës apo në një muze, por ne do të shkojmë aty ku njerëzit vijnë për të shijuar ditët e tyre të pushimeve, pranë njerëzve që duan të argëtohen jo vetëm me plazhin e natyrën, por edhe me muzikën.”
Edicioni XXI startoi më 30 qershor dhe do të përmbyllet më 12 korrik. Përgjatë të gjitha netëve të programuara në kalendarin artistik, festivali synon t’i ofrojë publikut mbrëmje emocionesh unike dhe të papërsëritshme.





