Ka nisur këtë pasdite në sheshin “Liria” në Durrës protesta qytetare kundër projekteve që, sipas pjesëmarrësve, po dëmtojnë trashëgiminë, mjedisin dhe cilësinë e jetës në qytet.
Me pankarta në duar, protestuesit kanë shprehur kundërshtimin ndaj betonizimit të Durrësit, projektit TID, problematikave të përmbytjeve, gjendjes së sistemit shëndetësor dhe mënyrës së menaxhimit të investimeve publike. Mes mesazheve më të spikatura janë thirrjet për mbrojtjen e identitetit historik të qytetit dhe kundër ndërtimeve që, sipas tyre, cenojnë interesin publik.
Tubimi në Durrës zhvillohet paralelisht me protesta në Tiranë dhe qytete të tjera të vendit, ku qytetarë dhe aktivistë kanë dalë kundër politikave të qeverisë, si edhe kundër projektit të resortit turistik në zonën e mbrojtur të Zvërnecit.
Ndryshe nga protestat e mëparshme, ku pjesëmarrja ishte kryesisht e aktivistëve qytetarë dhe përfaqësuesve të partive të reja, në tubimin e sotëm vihet re edhe një numër më i madh anëtarësh dhe simpatizantësh të Partisë Demokratike në Durrës.











