Para shumë vitesh, njësia administrative Gjepalaj, pjesë e bashkisë Shijak, ishte si shumë fshatra të tjera të Shqipërisë, me toka djerrë e të rinj në emigracion.

Kjo deri kur agroturizmi (një fjalë që, deri pak kohë më parë, nuk kishte tërhequr shumë), si një model i suksesshëm biznesi, filloi të bëhej tërheqës për mjaft individë, veçanërisht për ata që rrënjët i kanë të lidhura me fshatin.

Ngritja e një restoranti në tokat e familjes, i mbështetur në traditë dhe prodhimet e zonës shumë shpejt i dha një dimension tjetër fshatit, duke e përfshirë në guidat turistike vendase.

Këtë kontribut ka dhënë edhe kantina “Kokomani” në Shijak, në të cilën “DurrësLajm” zhvilloi një vizitë.

Rrugët gjarpëruese që të çojnë në këtë agroturizëm kalojnë mes për mes njësisë administrative Gjepalaj, me destinacion fshatin “Eminas i vogël”.

Stina e dimrit nuk ia ka venitur aspak bukurinë zonës, fushat e së cilës janë ndër më pjelloret në vend, të ushqyera ndër shekuj nga lumi i Erzenit.

Kuptojmë se jemi pranë agroturizmit sapo mbaron rruga e asfaltuar. Mjaftojnë ato pak kilometra rrugë e pashtruar, për të na futur në atmosferën e fshatit.

Këtu familja Kokomani ka investuar ëndrrën e një jete, që lindi në një ndër vendet më të bukura të Italisë, Toskanë.

Falë viteve të emigracionit, im shoq fitoi një eksperiencë të bukur duke punuar në një kantinë në një zonë të Toskanës. Duke qenë se kjo ishte një eksperiencë e bukur, menduam ta sillnim në vendin tonë, pasi kemi toka këtu dhe gjithashtu vendi ka një klimë të mrekullueshme”, thotë administratorja Anila Kokomani.

Duke punuar me një familje fermere, Kokomanët zgjodhën një model veçanërisht të mirëpërcaktuar të agroturizmit, që nisi fillimisht me kantinën e u zgjerua me kohën.

Fillimisht jemi marrë me panaire, duke fituar klientë ose veradashës dhe kështu të gjithë këto klientë filluan të na vizitonin duke shprehur dhe dëshirën pse jo për të ngrënë dhe një drekë në natyrë dhe kjo gjë u bë realitet. Me të vërtetë më ka pëlqyer gjithmonë pjesa e gatimit, sidomos ajo tradicionalja. Kështu filluam të rriteshim çdo ditë e më shumë”, na tregon administratorja.

Në faqet e kodrave në këtë stinë mungon gjelbërimi i vreshtave të mbjella, kryesisht me varietetin autokton të Sheshit, prej ku Kokomanët marrin produktin për prodhimin e verës.

Anila na tregon se kantina ofron 4 lloje verërash: sheshin e bardhë, të zi, verën e ëmbël dhe verën “Shën Mhill”, për të cilën thotë se ka veçantinë e saj.

Kemi sheshin e bardhë dhe sheshin e zi, të cilat janë 2 varietete autoktone, të mbjellura në vreshtat tona. Kemi edhe verën ‘Shën Mhill’, që është më speciale do të thoja, sepse është një verë e miksuar (ka tre varietete rrushi). Gjithashtu kemi edhe verën e ëmbël me karafil dhe barbaroz”, shpjegon ajo.

Në jetën tonë gjithnjë e më të shpejtë, teksa prej pak vitesh tashmë jetojmë në kohë të vështira, vizitorët do ta mirëpresin gjithmonë një ditë, që i largon nga turmat dhe zhurma e qytetit.

Administratorja nënvizon se tashmë vizitohen jo vetëm nga vendasit, por edhe nga turistë të huaj.

Duke qenë se jemi në një zonë kodrinore dhe natyra është shumë e bukur, ajri është i pastër dhe vizitorët pëlqejnë të vijnë dhe t’i kalojnë ditët e tyre në qetësi, larg zhurmave të qytetit. Falë vizitorëve vendas, kemi fituar dhe shumë vizitorë të huaj, që vijnë për të bërë degustimin e verërave dhe pëlqejnë shumë ushqimet tradicionale”, shprehet ajo.

Ajo që i tërheq më së shumti vizitorët, qoftë vendas apo të huaj, për Anilën është fakti se gjithçka gatuhet me produkte bio, larg të veçantës dhe luksit që ka “mbytur” restorantet në zonat urbane.

Duke qenë se punojmë me banorët e zonës, marrim produkte të freskëta, do të thoja se jemi më shumë tek produktet bio sesa tek ‘të veçantat’ ”, thotë ajo, teksa na tregon disa nga gatimet, që ofron kantina “Kokomani”.

Kështu, duke zgjedhur agroturizmin si destinacion për të kaluar një ditë pushimi, ne kontribuojmë, jo vetëm në rritjen e bizneseve familjare, por edhe në zhvillimin e fshatit dhe ekonominë e banorëve të zonës.

Kështu mendon dhe Anila, kur thotë se “përveçse arritëm të ngrinim biznesin tonë familjar, ne kemi bërë edhe promovimin e vendasve, sepse banorët e zonës na sjellin të gjithë produktet e tyre, me të cilat ne përgatisim ushqimet tona“.

Andaj, nëse ende nuk keni planifikuar diçka për fundjavën, Anila Kokomani ka një mesazh për ju:

Mendoj se çdokush që vjen do jetë vërtetë i kënaqur, sepse përveç ushqimeve dhe verës, që janë cilësore, këtu nuk mungon asnjëherë qetësia, ajri dhe natyra kaq e bukur sa është”.