Në të gjithë bashkinë e Durrësit ka nisur një aksion masiv pastrimi, që konsiston në punën për të zhdukur të gjitha pikat e jashtëligjshme të depozitimit të mbeturinave.
Kryebashkiakja Sako, së bashku me punonjës të ndërmarrjeve në varësi të bashkisë, të tilla si ndërmarrja “Rruga” dhe komunalja e Durrësit, kanë nisur punën në terren për pastrimin e këtyre vatrave.
Këtë të mërkurë aksioni u përqëndrua në njësitë administrative të Katundit të Ri dhe Ishmit duke pastruar pyjet dhe parqet natyrore të këtyre zonave, me nxënësit e gjimnazeve që iu bashkuan vullnetarisht aksionit dhe asistuan në pastrimin e asaj, që Sako e cilëson si “aset i çmuar i qytetit”.
Nëpërmjet një postimi në llogarinë e saj në rrjetin social “Facebook”, kryebashkiakja i bën thirrje bizneseve, por edhe qytetarëve, që të gjithë bashkë të kontribuojnë për të mbajtur sa më pastër mjedisin dhe mbrojtur atë.
Postimi i plotë:
Kemi ndërmarrë një aksion masiv pastrimi ♻️ në të gjithë Bashkinë e Durrësit për të zhdukur të gjitha pikat e jashtëligjshme të depozitimit të mbeturinave.
📍Në njësitë administrative të Katundit të Ri dhe Ishmit duke pastruar pyjet 🌲 dhe parqet natyrore të këtyre zonave, një aset i çmuar i qytetit.
📌 Tashmë që Durrësi e ka zgjidhur problematikën e pikës fundore të depozitimit të mbetjeve, po pastrojmë dhe po zhdukim vatrat e jashtëligjshme të mbetjeve me ndërmarrjet tona ndërkohë që në këto dy njësi na janë bashkuar edhe nxënësit e gjimnazeve.
🔈I bëj thirrje bizneseve por edhe qytetarëve që të gjithë bashkë të kontribuojmë për të mbajtur sa më pastër mjedisin dhe ta mbrojmë atë.