Një mozaik i ri i shtohet Durrësit, i cili sjell në kohët moderne historitë e Dyrrahut antik dhe një traditë të hershme të ardhur deri në ditët tona, atë të prodhimit të verës.

Mozaiku “Balisca – Kujtesa që zgjon tokën” u prezantua ditën e sotme ne sheshin “Azem Hajdari”, gjatë një ceremonie ku merrnin pjesë aktivistë të Shoqërisë Civile, qytetarë, nxënës shkollash etj. Ai i dedikohet Baliscës, verës ilire, shumë e preferuar në kohën antike.

Vepra e realizuar nga artisti Ivo Moja sjell historinë e dashurisë së Dionës nga Dyrrahu dhe ushtarit roman Titius si dhe kujtimet që këtij të fundit i përcjell ëmbëlsia e verës Balisca.

Projekti “Heritage is Our Brand / Trashëgimia na dallon “, është financuar nga Bashkimi Evropian dhe qëllimi i tij është që përmes historive të treguara (Story telling) të bëjë më të prekshme për brezin e ri trashëgiminë kulturore.

Mozaiku “Balisca – Kujtesa që zgjon tokën” i shtohet listës së mozaikëve, që dikur i gjeje kudo në Dyrrahun antik. Inaugurimi i tij gjatë ditës së sotme përkon me mbylljen e Javës së Europës.

M.B.