I njohur në trevat shqiptare si artisti i muraleve me tematikë kombëtare, Bledar Çakalli i është përkushtuar prej javësh tashmë një vepre të re.

Vendndodhja është në Rubik, Mirditë, dhe kush ka përshkuar këto ditë Rrugën e Kombit nuk ka mundur mos ta vërë re.

Shqiponja me përmasa 16 metra e lartë dhe 10 metra gjerësi nuk do të jetë e vetmja pikturë në këtë murale kuq e zi që të kujton pas asnjë mëdyshje flamurin kuq e zi, Por, krahas shqiponjës artisti Çakalli ka planifikuar të realizojë edhe portretet e heroit tonë kombëtar, Gjergj Kastriot Skënderbeu, shenjtores Nënë Tereza, at Gjergj Fishtës dhe të tjera figura të rëndësishme të historisë sonë.

“Do të jetë një murale me sipërfaqe rreth 300 metra katrorë”,- thotë Çakalli për “DurrësLajm”, ndërsa shton se “në përfundim të saj mund të thyej rekordin evropian për muralen më të madhe”.

Pas gjurmës që ka lënë në shumë lokacione të vendit tonë me muralet e tij, nga data 15 prill Çakalli do të nisë një tur evropian në tre shtete, Gjermani, Zvicër dhe Belgjikë.

Në qytetin e Mynihut, Gjermani, ku do të jetë ndalesa e tij e parë, artisti do të realizojë murale për “Dëshmorin e kombit” Indrit Cara, të riun kavajas që humbi jetën në luftën e Kosovës si dhe portretin e Skënderbeut.

“Falë kontributit të djemve shqiptarë brenda vendit, por edhe në diasporë unë po vijoj misionin tim. Mbështetja e tyre ka qenë një ndihmë e madhe për mua, por edhe një inkurajim i vazhdueshëm për të mos u ndalur”,– thotë Çakalli.

32-vjeçari me origjinë nga Dibra, që prej vitesh jeton në Durrës, nuk e ka pasur të lehtë t’i përkushtohej pasionit të tij. Por mbështetja e shqiptarëve ka qenë shtysa më e madhe e tij, që vit pas viti të rrisë numrin e muraleve me tematikë patriotike në Shqipëri e më gjerë.

M.B.