Autoriteti Portual Durrës ka hapur edhe një tender tjetër për të shndërruar një hapësirë portuale në shesh parkimi.

Përveç rehabilitimit të zonës së ish-peshkimit, do të pastrohet edhe sheshi i ish-kantierit detar.

APD duket se ka kthyer vëmendjen nga disa hapësira të portit më të madh në vend, të cilat janë jo funksionale prej vitesh.

Tenderi për pastrimin e sheshit të ish-kantierit detar kap vlerën rreth 5 milionë lekë dhe ofertat nga kompanitë e interesuara mund të paraqiten deri më datë 13 shtator.

Këtë hapësirë portuale, APD ka menduar ta kthejë në vendparkimi për mjetet e rënda, të cilat aktualisht bllokojnë trafikun në rrugët e portit ndërkohë që mbajnë radhë për të kaluar në skanim.

“Përfitimi i këtij projekti është se kthen të gjithë sheshin e ish-kantierit nga një shesh rrënojash e mbeturinash dhe fare pak të përdorshëm në një shesh të përshtatshëm për parkim apo për qëllime të tjera sipas nevojave të APD-së. Gjithashtu pastrimi i këtij sheshi dhe kthimi i tij në një shesh funksional rrit ndjeshëm edhe imazhin e portit. Duke qenë se mjetet e rënda me ngarkesë nuk kanë parkim të mjaftueshëm për mbajtjen e radhës për skanim dhe sheshi ndodhet ngjitur me sheshin e skanerit atëherë kthimi i kësaj sipërfaqeje në sipërfaqe të shfrytëzyeshme i shërben ndër të tjera edhe logjistikës Portuale”,– shkruhet në dokumentet e tenderit.

Sipërfaqja totale e sheshit është 67300 m2.

Në 3 ditët e para të muajit shtator, APD ka hapur dy tendera për dy hapësira të rëndësishme portuale përr t’i shndërruar në vend parkimi.

“Ndërhyrjet e parashikuara janë pastrim e gërmime me qëllim largimin e mbeturinave dhe nuk parashikohen punime të mirëfillta ndërtimi”– bën të ditur APD.

Në total vlera e dy tenderave për rehabilitimin e sheshit të ish-kantierit dhe ish-peshkimit kapin vlerën 12.8 milionë lekë të reja.