Me çekiçin gjithnjë në dorë dhe veglat e tjera të punës përreth Kujtim Uruçi i kalon ditët në dyqanin e tij të vogël të riparimit të këpucëve.

Prej mëse 30 vitesh ushtron profesionin e këpucarit, falë të cilit ka mundur të mbajë familjen prej 5 anëtarësh. Për të ky zanat është pasion, por edhe mënyrë jetese.

“Jam vetë i pestë dhe me këtë çekiç mbaj familjen”,– thotë Kujtimi për “DurrësLajm”, ndërsa puth çekiçin, veglën e dashur që i ka lejuar ushtrimin e profesionit.

Megjithëse i është përkushtuar gjithë jetën, nuk ka mundur të nxjerrë të ardhura të mjaftueshme, sidomos vitet e fundit.

“Ky zanat nuk të lë pa bukë, por nuk ka asnjë profesion në botë që të bën pasanik. Ky është një zanat, që të mundëson një jetesë normale”.

Listat e borxheve nuk mungojnë as në dyqanin e tij. Janë punë të kryera prej tij, por klientët nuk janë shfaqur më.

Me dhimbje, Kujtimi konstaton se zanati i këpucarit është drejt zhdukjes dhe kjo për shkak se puna ka rënë ndjeshëm prej konkurencës nga tregu i rrobave të përdorura dhe fabrikat e këpucëve.

“Ka rënë puna komplet, kemi 90% më pak xhiro. Vjen ndonjë kalimtar për të bërë riparim. Shpesh njerëzit nuk bien dakort edhe për çmimin, sepse i blejnë tek gabi, apo nga fabrikat e këpucëve 1000-1500 lekë. Kjo na dëmton edhe më shumë e na lë pa punë”.

Pas vitesh të tëra në profesion, Kujtimi është i bindur se ky zanat po shkon drejt zhdukjes. Të rinjtë nuk shfaqin më interes.

“Sa të kem fuqi unë do punoj, sot jam 63 vjeç. Brezi i ri nuk ka interes, zanati po shkon drejt zhdukjes. Nuk shoh asnjë djalë të ri, që të punojë në këtë zanat. Të gjithë këpucarët janë të vjetër, mbi moshën 40 vjeç”.

Paraditen e sotme, Kujtim Uruçi kishte vetëm dy palë këpucë për të riparuar. Emigrimi ka ulur ndjeshëm klientelën e tij. Me duart që i hanë për punë, ai vetëm shpreson….

M.B.