3 dekada në qëndistari. Ëngjëllushe Spada i është përkushtuar për vite me radhë një profesioni, të kthyer në pasion, por edhe një biznesi që vit pas viti ka zgjeruar gamën e krijimeve artizanale dhe jo vetëm.

“Qëndistari Spada” është një markë e njohur në Durrës për të gjithë të apasionuarit pas punimeve të dorës, por edhe produkteve të personalizuara.

Në një intervistë për “DurrësLajm”, Ëngjëllushja rrëfen kur nisi pasioni për qëndisjen dhe punën me grep.

Një nga punimet e saj të para ajo vazhdon ta ruajë sot e kësaj dite me mjaft dashuri, sepse gjithçka i sjell ndërmend rrugëtimin e saj të gjatë në këtë profesion. Nga një nevojë jetike në vitet e para, kur nisi ta ushtrojë në Lushnje, Ëngjëllushja brenda pak viteve krijoi klientelën e saj, ndërsa nisi edhe kurset për vajzat e reja.

Me një biznes të konsoliduar tashmë në Durrës, qëndistarja Spada flet për gamën e madhe të qëndismave që prodhohen në biznesin e saj, ku punojnë prej vitesh disa gra duararta, të angazhuara në të gjitha proceset e punës.

Por si çdo profesion, qëndistaria ka vështirësitë e veta, sepse duhet të përmbushin në maksimum pritshmëritë e klientelës. Lindita Krasniqi, një nga punonjëset më të vjetra, tregon më shumë mbi këto procese.

Ruajtja e tradicionales mbetet një sfidë në kohët tona, kur gjithnjë e më shumë kërkesat e brezave të rinj janë të përqendruar tek krijimet teknologjike. Për Ëngjëllushen, punimet tradicionale me gjilpërë, penj apo grep nuk do të humbin kurrë, sepse gjithnjë do të ketë treg për këto krijime specifike.

Vështirësitë më të mëdha të profesionit të Ëngjëllushes dhe të gjitha zonjave që merren me qëndistari janë pikërisht punimet e dorës.

Investimin e ngritur ndër vite me shumë mund dhe djersë, Ëngjëllushja po mendon t’ia kalojë njërës prej bijave të saj, që ndjek studimet për art dhe dizajn.

Me profesioniste të mirëfillta dhe duararta si Ëngjëllushe Spada qëndistaria mbetet gjithnjë një zanat që nuk do të humbë kurrë.