Shëtitorja “Taulantia” te Sfinski në Durrës, u kthye mbrëmjen e së shtunës në një skenë të hapur muzikore, ku qindra qytetarë dhe turistë shijuan një spektakël të veçantë artistik buzë detit.

Violinisti me famë ndërkombëtare Olen Çesari, së bashku me DJ francez Charles B, sollën një performancë elektrizuese që ndërthuri tingujt elegantë të violinës me ritmet moderne elektronike.

Edhe DJ Charles B, i cili performoi për herë të parë në Shqipëri, vlerësoi mikpritjen dhe atmosferën e krijuar në Durrës.

“Është hera ime e parë në Durrës dhe hera e parë në Shqipëri. Kam gjetur një atmosferë të mrekullueshme, një perëndim magjepsës, ushqim të shkëlqyer dhe jam shumë i emocionuar për këtë mbrëmje. Është kënaqësi e veçantë të bashkëpunoj me Olen Çesarin, i cili është nga ky qytet, për të sjellë një shfaqje unike për publikun”, tha Dj Charles B.

Pjesë e mbrëmjes ishte edhe DJ Unicorn, i cili përveç performancës muzikore, solli për publikun një spektakël me efekte zjarri.

Koncerti u shndërrua në një nga aktivitetet më tërheqëse të fundjavës në qytetin bregdetar, duke sjellë në zemër të Durrësit një kombinim të veçantë të muzikës klasike dhe asaj elektronike.