Një mundësi e artë për studentët e Fakultetit të Biznesit në UAMD dhe jo vetëm shihet edicioni i pestë i Panairit të Punës dhe Karrierës, që hapi dyert sot.

Rreth 100 sipërmarrje nga Durrësi dhe Tirana merrnin pjesë në këtë panair duke ofruar për studentët e interesuar mundësi të shumta punësimi sezonal apo afatgjatë  si dhe praktika pune apo kurse të specializuara, të financuara nga vetë bizneset, me kosto zero për të rinjtë.

Jani Groballi është një nga studentët që në edicionin e parë të Panairit u punësua nga një operator turistik, ku vijon të punojë edhe sot. Për të, por edhe për të rinj të tjerë që aktualisht vijojnë studimet, ofertat e punësimit nga sipërmarrjet private janë një shans më shumë për ta për t’u integruar në tregun e punës.

Ky panair është një nga eventet më të rëndësishme që forcon më tej marrëdhëniet mes Fakultetit të Biznesit dhe sipërmarrjes në Durrës dhe Tiranë, gjë që u theksua edhe gjatë fjalës së dekanit Llambi Prendi dhe rektorit Shkëlqim Fortuzi.

Shumë nga bizneset pjesëmarrëse nënshkruan marrëveshje bashkëpunimi me Fakultetin e Biznesit si dhe ofruan bursa studimi për studentët, siç ishte rasti i Future Home Vollga që ofroi 2 bursa.

Edhe në këtë edicion të pestë, panairi synoi të shërbejë si një pikëbashkimi për bashkëpunimin midis ofertës dhe kërkesës në tregun e punës, si dhe për të prezantuar mundësitë që ofron ky treg në Durrës dhe kryeqytet, në të gjitha sektorët e ekonomisë.

M.B.