Deputeti i Durrësit, Igli Cara, ka reaguar lidhur me vendimin për vendosjen e parkimeve me pagesë në rrugët e qytetit, duke e cilësuar atë si një masë të padrejtë për qytetarët.

Sipas Carës, Bashkia e Durrësit po vendos tarifa të reja në një kohë kur problematikat infrastrukturore vazhdojnë të mbeten të pazgjidhura.

Ai thekson se mungesa e vendeve të parkimit për banorët, rrugët e amortizuara, trotuaret e dëmtuara dhe pusetat e hapura janë shqetësime që kërkojnë zgjidhje të menjëhershme.

Postimi i plotë:

Absurdi i Bashkisë së Durrësit

Pa shërbime, pa rrugë, pa parkime për rezidentët bashkia e Durrësit vendos të faturojë këdo për të parkuar automjetet.

Praktika e parkimeve kundrejt pagesës nuk është e panjohur në botë.

Por, në Durrës ndodh çudia!

Shërbimet harrohen, ndërsa taksat shtohen!

Pa konsultim me qytetarët, pa zgjidhje për problematikat dhe në kulmin e sezonit turistik!

A nuk duhej të kishte përfunduar rruga e hyrjes së qytetit të Durrësit?

Po trotuaret ku mund të rrëzohesh, po pusetat e hapura dhe gropat e harruara në rrugë e trotuare?

Durrësi po bëhet dita-ditës i pajetueshëm!

Ky është realiteti me të cilin përballemi të gjithë!