Partizani fiton 2 me 1 në “Niko Dovana” ndaj Erzenit dhe qëndron në garë për titullin kampion, ku gjithsesi Tirana mbetet e favorizuar (bardheblutë kanë dy pikë më shumë dhe një takimin me tepër në dispozicion për të zhvilluar).

“Demat” u treguan cinikë ndaj shijakasve, që bënë volum loje në pjesën e parë, por u ndëshkuan në fraksionin e dytë nga Da Silva dhe Hoti. Në fillim të pjesës së parë Xhika i mohon golin nigerianit Mba, ndërsa në të 19-tën, Mehmeti i Erzenit vë në provë Rexhepin.

Diferenca bëhet në pjesën e dytë, me Partizani që gjen golin në të 60-tën me Da Silva, i asistuar me zgjuarsi me gjoks nga Telushi pas ekzekutimit të goditjes së lirë nga Rrapaj.

Vetëm dy minuta më vonë, Rrapaj humb mundësinë për të dyfishuar shifrat, godet jashtë.

Traversa shpëton të kuqtë në të 65-tën. Pas një harkimit të Mehmetit nga e djathta, topi u devijua dhe përfundoi në traversë.

Në të 84-tën, Sota u ndëshkua me kartonin e dytë të verdhë, por inferioriteti numerik nuk e pengoi Partizanin të shënonte golin e dytë me Engjëll Hotin.

Në minutat shtesë Kahrimanobic shkurtoi në 1-2 diferencën me 11-metërsh, por nuk pati më kohë që Erzeni të barazonte rezultatin.

Me këtë humbje Erzeni komplikon pozitat në renditje, pasi në rast suksesi të Kukësit me Teutës do të zbresë në vendin e tetë.