Pas ngjarjes tragjike që tronditi opinionin publik në Durrës dhe më gjerë, ku dy të mitur humbën jetën dhe një tjetër mbeti i plagosur, pasi u morën përpara nga automjeti i drejtuar nga Nikoll Radaçi në zonën e ish-Kënetës, Drejtoria Vendore e Policisë duket se po vepron me “dorë të hekurt” ndaj drejtuesve të mjeteve që nuk respektojnë Kodin Rrugor.

Në harkun kohor të 4 ditëve të fundit (e hënë – e enjte) janë vendosur jo pak, por 2251 masa administrative për shkelje të ndryshme të qarkullimit rrugor, ose më shumë se 500 gjoba në ditë.

Pjesa më e madhe e tyre lidhen me tejkalimin e normave të shpejtësisë, ku janë regjistruar 1608 masa administrative. Ndërkohë, 370 masa janë vendosur për parkime të gabuara, kryesisht në zona urbane dhe pranë shkollave.

Janë vendosur 49 masa për mosvendosje të rripit të sigurimit, 39 masa për mosvendosje të kaskës mbrojtëse dhe 19 masa për përdorim të telefonit celular gjatë drejtimit të automjetit.

Sa i përket drejtimit të mjetit nën efektin e alkoolit, policia konfirmon se 11 drejtues mjetesh janë ndëshkuar me masa administrative, ndërsa 2 persona janë proceduar penalisht pasi janë konstatuar duke drejtuar automjetin në gjendje të dehur.

Ndërkohë, janë regjistruar edhe 5 procedime penale për drejtim mjeti pa leje drejtimi.

Burime nga Policia e Durrësit bëjnë me dije se janë hartuar gjithashtu 3 plane të posaçme masash, të fokusuara në kontrollin e drejtuesve të mjeteve për përdorim alkooli, verifikimin e mjeteve të transportit të udhëtarëve dhe nxënësve, si dhe monitorimin e parkimeve të gabuara dhe zënies së hapësirave publike në qytet dhe pranë institucioneve arsimore.

Autoritetet paralajmërojnë se kontrollet do të vijojnë me intensitet të lartë edhe në ditët në vijim, ndërsa fokusi mbetet parandalimi i aksidenteve dhe rritja e sigurisë në rrugë.

Pas tragjedisë që tronditi Durrësin, policia kërkon ndërgjegjësim maksimal nga drejtuesit e mjeteve, duke theksuar se shkeljet e Kodit Rrugor nuk do të tolerohen.