Për të dytën mbledhje radhazi pika e rendit të ditës që lidhej me miratimin e planit vendor të veprimit për barazinë gjinore 2026-2030 u shoqërua me debate në sallën e Këshillit Bashkiak Durrës. Pavarësisht ndryshimeve që ishin bërë në relacion lidhur me terminologjinë e përdorur, këshilltarët demokratë deklaruan votën e tyre kundër.

Këshilltarja Edlira Harizi kërkoi nga kryetarja e bashkisë Emiriana Sako statistika lidhur me shërbimet sociale dhe mbështetjen që u jepet kategorive në nevojë.  

“Vëmendje e veçantë duhet t’u kushtohet nënave kryefamiljare, që rrisin të vetme fëmijët jetimë, e që mbajnë barrën ekonomike apo përgjegjësitë për rritjen e fëmijëve. për këto familje nevojiten politika më të mirëmenduara dhe më aktive edhe për punësimin e nënave”,- tha ndër të tjera këshilltarja Harizi.

“Nuk keni asnjë informacion çfarë shërbimesh jepen në bashkinë e Durrësit. Po ju jap disa shifra, raporte të vitit 2025. Janë 7 qendra që ofrojnë shërbim në bashkinë e Durrësit dhe 4 janë të hapura vetëm gjatë mandatit që unë drejtoj bashkinë. Në bashkinë Sukth dhe në bashkinë Rrashbull, përpara reformës territoriale as nuk mendohej që të jepej shërbim social kur drejtonte partia që ti përfaqëson.

Sot në këto NJA, jo vetëm që janë ngritur strukturat, por merret shërbim nga qindra qytetarë. Ky plan është një instrument shumë i rëndësishëm për grantin që merr bashkia e Durrësit nga qeveria shqiptare. Me një sistem pikëzimi, ne do të kërkojmë që me planin e miratuar të marrim rreth 9.5 milionë lekë më tepër. Me planin e refuzuar nga Këshilli do ta humbim këtë mundësi”.- tha kryebashkiakja Sako.

Debatet e krijuara në mbledhje, kreu i grupit të këshilltarëve të PS, Rolant Xhelilaj i klasifikoi si politike, ndërsa këshilltari Florian Tahiri, i cili në mbledhjen e kaluar abstenoi, këtë herë deklaroi votën pro, pas ndryshimeve të bëra.

Plani vendor kaloi me 27 vota pro dhe 6 kundër, por pas miratimit këshilltari Ardian Muka duke iu drejtuar kolegëve të PS-së tha se për këtë votë pro do ju dënojë historia.

9 pikat e tjera të rendit të ditës, pjesa më e madhe e të cilave lidhej me procesin e rindërtimit u miratuan me votat e të gjithë këshilltarëve të pranishëm në mbledhje.

M.B.