Nga BUJAR QESJA

Është pjesë e përditshmërisë edhe raste si ky, kur një njeri që ruan respekt dhe miqësi të sinqertë, është në ditën e bekuar të lindjes. Kështu ndodh, në këtë ditë të 17 janarit 2022 me Pëllumb Bulkun. Aftësia e tij, është se punoi shumë, madje edhe punon shumë, duke krijuar personalitetin e tij, emrin e tij, trendin e tij. Së pari njihet si doktor Pëllumb Bulku dhe së dyti djali i Babë Cenit, apo Cenit të famshëm të Shijakut.

Që i vogël iu ngjesh zanatit natyral të të jatit dhe filloi të bëj emër. Mbarimi i shkollës së lartë për mjeksi dhe specializimi për ortopedi, i dha më shumë profesionalizëm Pëllumb Bulkut. Shërbeu si mjek i përgjithshëm deri në Reps, Spaç, Fan të Mirditës, për të ardhur më parë në Shijak e më pas në Durrës.

Inventari i vizitave të tij është përtej imagjinatës, afro 800.000. Biografia e jetës dhe e punës është shumë e pasur, si vetë pasuria e shpirtit dhe zemrës së tij. Një familje mbushur me mjekë dhe njerëz humanë. Pëllumbi mjek ortoped, vajza e parë Natelina mjeke, Betiola farmaciste, por merret edhe me praktikën popullore të traumave, për të vazhduar tek e shoqja Bajame Domi, mjeke.

Katër vajzat Natelina, Betiola, Normana dhe Alcena i qendrojnë si kurorë të një arritje shpirtërore të paimagjinueshme çiftit aq të mirë, aq të urtë dhe aq fisnikë Pëllumb e Bajame Bulku.

Deviza e Pëllumb Bulkut është e njohur. Humanizmi i tij nuk ka kufi. Nismat e tij janë plotësisht në shërbim të njerëzve në nevojë. Janë tri përparësi kryesore, që Pëllumb Bulku i shërben si pjesë të mirësisë së tij, pa shpërblim:

1.Fëmijve që lindin me probleme në zhvillimin kockor.

2. Të moshuarve të azileve të pleqve dhe pa kujdes.

3. Invalidëve të punës dhe të luftës.

Me Pëllumb Bulkun krahas miqësisë tradicionale qytetare, na lidhi dhe një bashkëpunim i ngushtë në Klubin shumësportesh “Teuta”. Së bashku me mikun tonë të paharruar, mekanikun e lindur Avni Haxhija (ndarë nga jeta) përbënim atë trio, që punonim shumë, por edhe manifestonim një humor plot lëng shpirtëror, por edhe nga një kafe plot zemër e konsumonim.

Pëllumb Bulku qendron tërë kohën në Milano, ku jetojnë të katër vajzat e tij me familjet e tyre. Shkon, i shikon dhe qendron pranë tyre. Në kohë të veçanta vjen e kujton miqësinë tonë në Durrës.

Me 17 janar 2022 mbush 75 vite jetë. Dhe është i fortë. Të befason kur i lexon vargjet dhe formulimin e kujtimeve. Ka përfunduar librin kushtuar Babë Cenit dhe pret që ta botojë. Është mbledhës i fjalëve të urta, madje një pjesë edhe i krijon, duke mbetur edhe një shërbëtor i bindur i Zotit.

Miku im i çmuar të uroj me gjithë shpirt, 75 vjetorin e lindjes! Dritë dhe mbarësi familjes tënde! Me atë grua zonjë dhe me ato vajza si flori, me ato dhëndurrë dhe me ato nipër dhe mbesa, jeta jote Pëllumb Bulku mbetet gjithnjë e bukur, e lumtur, e mbushur me urtësi dhe qetësi.

Edhe shumë vite kështu, pasi je një aset shoqëror i pazëvëndësueshëm. Shumë na kanë ikur nga kjo jetë, por edhe na kanë mbetur. Dhe ti je njëri prej tyre. Dhe dëshiroj të mbetesh edhe për shumë kohë pranë nesh, i mrekullueshmi ynë Pëllumb Bulku.

Me krahët e tua të fantazisë, ti fluturon ëmbël dhe i sigurtë në skajet e shpirtërave tanë miqësor, që të duan dhe të respektojnë. Fluturofsh kështu pafundësisht!

Pëllumb Bulku, miqësia dhe shoqëria e jonë e paprekur.

Rrofsh e gëzofsh tërë kohën! Meriton çdo të mirë.

Dhe ajo të ka shpërblyer gjithnjë!