Për 3 ditë me radhë, pjesa më e madhe e sheshit “Liria” në Durrës ka qenë e bllokuar nga materialet e ndryshme që u sollën aty për koncertin 3 ditor “Festa e miqësisë”, që pritet të zhvillohet këtë fundjavë në qytetin bregdetar.

Duke nisur nga dita e martë, sheshi kryesor i qytetit u kthye në një vend depozitimi materialesh të shumëllojshme, duke bërë që një nga hapësirat më të rëndësishme publike të mos ishte e aksesueshme për qytetarët.

Karrike,, tavolina, aksesorë për skenën dhe platformën që po ngrihet për koncertin u vendosën në shesh që nga dita e martë, megjithëse koncerti do të mbahet mbrëmjen e së premtes (fotot në fund të shkrimit janë realizuar ditën e mërkurë).

Në raste të ngjashme, vitet e kaluara, kompanitë private i kanë sjellë materialet vetëm një ditë para mbajtjes së eventit, duke mos bllokuar hapësirat publike për ditë me radhë.

Më shumë sesa mbi kompaninë, këtë herë faji bie mbi bashkinë, e cila lejon që hapësirat publike të kthehen në “magazina” të privatëve.

Ndërsa vetëm një ditë më parë u bëri apel qytetarëve dhe subjekteve private që të mos vendosin njoftime nëpër shtylla e fasada, vetë bashkia toleron rastet kur sheshi qendor i qytetit shndërrohet në magazinë në qiell të hapur.

Pasi u “dhuroi” qytetarëve për javë të tëra një qebaptore në qendër të qytetit, gjetja e radhës e bashkisë është shfrytëzimi i hapësirave publike si vend depozitimi materialesh e jo vetëm.