Veprimtaria ekonomiko-tregtare e portit të Durrësit në 9 mujorin janar-shtator 2021, ka njohur rritje krahasuar me të njëjtën periudhë të dy viteve paraardhëse, janar-shtator 2019/2020.

Sipas të dhënave paraprake, performanca financiare 9 mujore 2021 në Portin e Durrësit, konfirmon indikatorët e rritjes ekonomike në vend, sipas zyrës së shtypit në APD. Referuar raportit zyrtar të Autoritetit Portual Durrës, aktiviteti përpunues në terminalet portuale është rritur jo vetëm krahasuar me vitin 2020, kur ishin prezente masat kufizuese anti-Covid, por edhe me të njëjtën periudhë të vitit 2019-të.

Konkretisht kemi rritje të volumeve të mallrave të përpunuara në total në 9 muaj të vitit 2021 me +18,67% ne krahasim me 2020 – nga të cilat 9,4 pikë përqindjeje i përkasin rritjes së përpunimit të konteinerëve – dhe +7,55 % në krahasim me 2019, duke kapur vlerën e 3,355,975 tonë mallra të përpunuara në periudhën janar-shtator 2021.

Ndërkohë, ky 9 mujor ka shënuar një rritje të të ardhurave me +24,67% ose 422,335,706 lekë më shumë se në 9 muajt e parë të vitit 2020, dhe 47,7% ne krahasim me vitin 2019.

Nisur nga ky fakt, Divizioni i Financës së Portit bën më dije se fitimi operativ është rritur përgjatë këtyre 9 muajve me rreth 66,966,570 lekë, 16.6 % më shumë krahasuar me vitin paraardhës.

Ndërkohë, rritja e fitimit neto ka arritur vlerën 61,175,802 lekë ose 18,71% më shumë se në 2020 dhe 20,85% më shumë se në 2019.

Mirëmenaxhimi i të ardhurave, mirëadministrimi i shërbimeve, likuiditeteve, janë disa prej faktorëve që kanë ndikuar në këtë performancë financiare. Më konkretisht Divizioni i Financës pranë APD-së sqaron se,

·         Mirëadministrimi i shërbimeve në Terminalin e Konteinerëve, ka qënë një ndër faktorët kryesorë të cilët kanë kontribuar në rritjen e të ardhurave.

·        Mirëmenaxhimi i likuiditeteve ndërthurur dhe me menaxhimin rigoroz të debitorëve ka siguruar një rritje të arkëtimeve nga debitorët me 150 % në raport me vitin 2020.

·        Faturimet për furnizimin me energji dhe ujë të subjekteve të cilët operojnë në territorin e APD-së, si dhe ulja e shpenzimeve për këto dy zëra kanë sjellë si pasojë një rënie të nivelit të humbjeve me vlerë -31.72% në shkallë krahasimore me vitin paraardhës.

·        Një faktor tjetër në rritjen e përgjithshme të të ardhurave ka qënë edhe mirëmenaxhimi i të ardhurave me shpenzimet në lekë dhe valutë.