Nga BUJAR QESJA

Në Bitonto, një qytezë pranë kryeqendrës jugore të Italisë –Bari, jeton një pjesë e jona. Mund të jenë bërë më pak se tri dekada dhe çifti Ibrahim dhe Aleksandra Kurtbegovi, jetojnë shqiptarçe ditët italiane. Malli për Durrësin e tyre është aq i madh, saqë po të kesh rast t’i takosh, shikon mozaikun e lotëve në fytyrat e tyre. Janë të pranishëm herë me shënime në treguesit elektronikë të komunikimit, herë me mesazhe dhe forma të ndryshme dhe në të gjitha rastet ua lexon sentimentin, mbresat e pashuara, mallin kurdoherë të ndezur për tokën e tyre, për Durrësin e tyre.

Duhet të ketë qenë në mos gaboj vjeshta e vitit 2018, ku me çiftin Vasil dhe Lida Tati, po ktheheshim nga Portugalia dhe kishim arsyje të fortë të qendronim në Bari për pak minuta, pasi me tragetin e linjës do të ktheheshim në Durrës pas 15 ditëve udhëtim. Cila ishte arsyeja? Nga Bitonto ishin nisur për të në takuar në Bari, çifti i përvëluar nga malli i pashuar Ibrahim dhe Aleksandra Begovi. Një çaj, shumë mall. Një bisedë, shumë lot. Një kujtim, një drithërimë më shumë. Histori të mbyllura të kujtesave të hapura. Pesha e madhe qytetare e tyre fiksohet në fillim të viteve 70-të, për të patur një epilog sigurisht të përkohshëm në fundin e viteve 80-të, pasi gjithçka rrodhi më pas i takon tokës së bekuar të Italisë fqinje, të këtij shteti aq joshës për shqiptarët dhe veçanërisht për durrsakët.

Këtë shkrim e provokoi, e nxiti, apo u bë sebep, 15 shtatori i vitit 2021. Aleksandra Ndreu e datëlindjes 15 shtator 1951, mbushi 70 vjeç nga dita e para e krijesës, por tashmë me mbiemrin e bashkëshortit të saj Kurtbegovi. Një ditëlindje, që si qershia mbi tortë pati një urim shpirtëror nga Bebi, i cili kujtonte që 51 vite më parë lidhi jetën me vajzën e bukur përmetare me emrin Aleksandra dhe që tani është në 70 vjetorin e lindjes. Dedikimi është prekës, aq sa një përqindje të bindjes tonë, për t’u ulur dhe hedhur në letër rradhë të merituara për Sandrën, i takojnë edhe të mirnjohurit të topkoshit shqiptar Ibrahim Kurtbegovi.

Ishte 15 shtatori i vitit 1970. Ekipi i “Dinamos” për të rritur dhe i “17 Nëntorit” për të rritura ishin grumbulluar në Tiranë, duke u stërvitur në pallatin e sportit “Partizani”. Pritej një turne një mujor në Kinë, në kuadër të përgatitjeve për kampionatin europian të basketbollit të vitit 1972 që organizohej në RDGJ. Befas topi nga duart e një basketbollisteje, kalon në anën ku stërviteshin djemtë. Dhe vajza e brishtë, një simpatike 19-të vjeçare flet me një zë tërheqës, të butë si vetë butësia e pamjes së saj dhe e rrit zërin aq sa i duhej djalit 22 vjeçar:

-Ma hidh pak topin të lutem!

-Jam në ëndërr, apo diçka e beftë po ndodh me mua!

Kështu foli me veten e tij Ibrahim Kurtbegovi, basketbollisti më pikant i “Dinamos” së kohës. Ai e mësoi më vonë, që ajo vajzë përmetare, një gonxhe e sapo çelur në kopshtin tërheqës të trandafilave të basketbollit të femrave, kishte ditën e lindjes dhe ishte plot 19 vjeçe. Eh, kur zemra i flet zemrës dhe shpirti yt bashkohet me shpirtin e asaj që të ka taksur Zoti, gjërat ngjiten dhe nuk ndahen më. Aleksandra Ndreu stërvitej edhe në ditët vijuese dhe kishte dëshirë, që topi kur largohej prej saj, të kapej nga i njëjti njeri, i cili dhe vetëm kaq, zemrën e kishte të tronditur nga pamja e saj.

Si “rastësisht” u ulën pranë edhe në avionin, që nisi udhëtimin drejt RP të Kinës me 25 shtator 1970. Si “rastësisht” hidhnin vështrimet nga njëri tjetri. Dhe “rastësia” më e madhe, ndodhi pasi u kthyen në Tiranë me 25 tetor. Bebi në Durrës priti vajzën përmetare të basketbollit, e shoqëroi deri në Lushnje, për të kapur autobuzin e linjës së Përmetit. Duart u takuan m’u si zemrat. Dhe në mbretërinë e heshtjes, u dëgjua zëri i brëndshëm i secilit prej tyre:-Nuk ndahemi më! Ky është fati ynë!

70 vjetori i lindjes së Aleksandra Kurtbegovit. 51 vjetori i lidhjes së përjetshme Ndreu-Kurtbegovi. I bashkoi basketbolli. I bashkuan ëndrrat e dy të rinjve, që lindën në parket, u ushqyen nga parketi dhe tash të qëndrueshëm në përballje me dallgët e kohës. Çifti Kurtbegovi, i krijuar mbi rrënjët e një pemë të përbashkët, që kishin lëshuar degë të shëndosha e që përkundeshin aq ëmbël dhe joshës m’u si një djep fëmije, nga erërat që frynin nga lugina e Vjosës dhe zinxhiri malor Trebeshinë- Dhëmbel-Nëmërçkë dhe detit Adriatik. Përmeti dhe Durrësi sa larg dhe sa afër.

Kur çifti i njohur Kurtbegovi erdhi në Durrës në vitin 1972, gëzimi i të flaktëve durrsakë të basketbollit kishte kapur qiellin. Durrësi në basketboll për femra, ndërtoi formacionin më të famshëm në historinë e tij. Korçarja Zhani Averiku, kishte krijuar familje me gjyqtarin e njohur durrsak Shpëtim Averiku. Ishin dy motrat legjendë të këtij basketbolli Zhyljeta dhe Shpresa Veterniku. Nga Tirana ishte Klaudia Dragoni. Në mos gaboj nga Kavaja vinte Engjellushe Arapi.

Dhe ekipi plotësohej nga dy vajza shumë të talentuara Donika Belliu dhe Hanza Rrogozhina. Kjo e fundit me bashkëshort peshëngritësin e njohur Fatmir Shytaj. Dhe Aleksandra Ndreu – Kurtbegovi, ishte lokomotiva e fuqishme që tërhiqte fort vagonat e ngarkuara me shpresë dhe optimizëm të basketbollit durrsak. Shtoji këtyre treguesve edhe drejtimin mjeshtëror të kalorësit të basketbollit Niko Hercek, “Lokomotiva” në basketboll për femra, u kthye në violinë e parë e basketbollit shqiptar.

Sandra ishte në kulmin e arritjeve. Mësuese e edukimit fizik. Sportistja më e mirë e Durrësit për shumë vite, dalë nga anketimet e më të spikaturve vendas. Anëtare e kryesisë së Federatës Shqiptare të Basketbollit. Përfshihet në 10 sportistët më të mirë të vëndit. Së bashku me shoqet e saja, e dërgon “Lokomotivën” në kulmin e arritjeve, tek fiton Kupën e Shqipërisë në vitin 1976 dhe nën kampione e vëndit. Bebi nga më të mirët me “Dinamon”, përfshihet në ekipin kombëtar dhe forcon “Lokomotivën”, ku fuqia e tërheqjes së saj drejt cilësisë, ishte më e mirë se kurrë.

Aleksanda Kurtbegovi, është edhe tradita më e mirë e basketbollit kombëtar të të rriturave. Është një foto historike, që fikson kampionatin europian të basketbollit për femra në vitin 1972, zhvilluar në qytetin Halle të Republikës Demokratike Gjermane. Shqipëria e përbërë nga Aleksandra Ndreu e “24 Majit” të Përmetit, Artenca Tufa e “Vllaznisë”, Bukuroshe Shtiza, Dhurata Xhani, Vera Dojaka, Mereme Ferhati, Elida Beti të “17 Nëntorit”, Natasha Dhimitri e “Skëndërbeut”, Liliana Xhyra e “Labinotit”, Pavlina Llaci dhe Kaliopi Semanjaku të “Apolonisë” me trajnerë Qemal Shalësin dhe Sanije Stojkun, realizuan një fitore të paharruar me Zvicrën. Ishte 14 maji i vitit 1972 dhe rezultati i suksesit 64-48, ku me 12 maj u mundëm nga Danimarka vetëm për një kosh 56-54. Aleksandra Ndreu ishte më e reja në ekipin përfaqësues.

“Të lutem ma hidh pak topin”, ka mbetur si faqja e parë e fillimit të një libri gjigand të jetës dhe të sportit, që e mbushin me aq korrektesë, me aq dashuri dhe ëmbëlsi, me aq përgjegjësi qytetare dhe morale, me aq mall dhe sentiment, me aq bukuri dhe ndjeshmëri hyjnore, pjesa e jonë e pandarë, frymëmarrja e të cilëve ndjehet në çdo hap me bashkëqytetarët e tyre në Durrës, ndonëse jetojnë në Bitonto të Barit, çifti i mbushur me nder dhe krenari Ibrahim dhe Aleksandra Kurtbegovi.

Sido që ta zësh, Kurtbegovët janë kapitull spikatës i basketbollit në Durrës. Ky çift që u lidh me “ të lutem ma jep pak topin”, kaloj në refrenin me një tingëllim shpirtëror “të lutem ma jep pak zemrën”, për të kaluar në një finale të jetës “ të lutem për shumë frymëzim, për shumë lumturi, për shumë gëzime, për shumë, shumë shëndet”. Aleksandra ka 96 orë që i kaloi të 70-tat. Bebi është në 73 vite.

Por përmbi vitet qëndron dashuria e prekshme, e lyer me mjaltin e jetës, ku çifti Kurtbegovi u shtuan fillimisht me dy vajza si drita Ira dhe Bena, më pas me dy dhëndurrë konkurues në të mirë dhe më tej me tri mbesa dhe dy nipër. Nga dy, u bënë 11-të, duke i marrë jetës optimalen e mundshme dhe duke shpresuar e shpresuar për më shumë kënaqësi e mbarësi.

“Të lutem ma hidh pak topin”! Po Sandra, Bebi ta hodhi topin dhe bashkë me të edhe zemrën. Ti e more edhe topin, por më shumë të gëzoi edhe zemra. Është ajo zemër, që ndërtoi shtëpinë e pashëmbur të jetës së Kurtbegovëve tanë, që na kanë veshur me mburrjen e merituar që jo vetëm ishin, por edhe mbetën pjesë e jona.

Gëzuar Sandra! Gëzuar Ibrahimi i Kurtbegovë të njohur, të lagjes legjendë të Sefer Efeniut! Gëzime paçi gjithnjë, në tapetin e gjërë dhe të koklavitur të jetës çifti i njohur durrsak Aleksandra dhe Ibrahim Kurtbegovi! Të jeni të sigurtë, se durrsakët ju kanë mbledhur me pelerinën e artë të kënaqësisë, që del nga zemra e madhe dhe e pastër e mirnjohjes, për atë çka i dhatë Durrësit dhe basketbollit të tij.

Dhe në atë jetë që keni kaluar dhe në atë që ju takon të konsumoni më pas, kurrë nuk do të harrohet shprehja e parë, që ju lidhi dhe ju bashkoi zemrat përjetësisht: “Të lutem ma hidh pak topin”!

Durrës: 19 shtator 2021

Pamja e parë

Çifti Kurtbegovi, në kohën “Të lutem ma jep pak topin”.

Pamja e dytë

Kurtbegovët në kohën e tanishme.

Pamja e tretë

Zgjerimi i familjes së origjinës.

Pamja e katërt

Takim i përmallshëm në portin e Barit, ndërmjet familjeve Kurtbegovi dhe Qesja.

Pamja e pestë

“Lokomotiva” fitues e e Kupës së Shqipërisë viti 1976

Lart nga e majta: Zhani Averiku, Klaudia Dragoti, Niko Hercek, Zhyljeta Veterniku, Aleksandra Kurtbegovi. Ulur nga e majta: Shpresa Veterniku, Engjëllushe Arapi, Donika Belliu, Hanza Rrogozhina.

Pamja e gjashtë

Maj 1972, në RD Gjermane

Lart nga e majta: Artenca Tufî (“Vllaznia”), Aleksandra Ndreu (“24 Maj” Përmet), Vera (shoqëruese e ekipit), Mereme Ferhati (“17 Nëntori”), Elida Beti (“17 Nëntori”), Natasha Dhimitri (“Skëndërbeu”).

Në rradhën e parë nga e majta: Liliana Xhyra (“Labinoti”), Sanije Stojku (trajnere e dytë), Bukuroshe Shtiza (“17 Nëntori”), Muhamet Metoliu (përgjegjësi i ekipit), Dëshira Mezini (Mjeke), Pavlina Llaci (“Apolonia”), M. Arapi (Ambasada shqiptare në RDGj), Dhurata Xhani (“17 Nëntori”).

Gjyqtari ndërkombëtar Jorgji Shundi, autor i fotografisë.

Pamja e shtatë

Ekipet e “Dinamos” për meshkuj dhe “17 Nëntorit” për femra, në turneun miqësor në RP të Kinës, shtator – tetor 1970.

Pamja e tetë

Dy shokët e ngushtë, të lidhur me një miqësi të pandarë që nga rinia e hershme Ibrahim Kurtbegovi dhe Vasil Tati (majtas).

Pamja e nëntë

Simboli i lidhjes :“Të lutem ma jep pak topin”.