Pas motit të paqëndrueshëm të tri ditëve të fundit që përfshiu bregdetin shqiptar, moti është kthjelluar duke rikthyer në normalitet edhe situatën detare dhe portuale.

Dy tragetet e linjës janë nisur para mesnatës së kaluar nga porti i Durrësit drejt Barit dhe anasjellas. Mëngjesin e sotëm në Durrës mbërritën dhe dy tragetet e Barit. Edhe anijet e peshkimit kanë dalë në det të hapur për gjueti.

Era e fortë dhe reshjet e herëpashershme të shiut diktuan anulimin e  lundrimeve për tragetet e kësaj linje dhe anijeve të tonazhit të vogël përfshirë dhe peshkarexhat gjatë ditëve të fundit. Ky mot, përveç transportit detar të udhëtarëve dhe mallrave me tragete dhe sektorit të peshkimit, cenoi dhe veprimtarinë normale  përpunuese të anijeve tregtare të ankoruara në kalatat portuale.