Dy ditë pas lirimit nga detyra të nënkryetarit të bashkisë Durrës, Arbër Braho dhe akuzave të ngritura prej tij në një status në Whatsapp vjen reagimi i kryetares në detyrë Emiriana Sako.

Në një prononcim për “Euronews”, kryebashkiakja Sako ka pranuar se arsyeja e shkarkimit të Brahos kanë qenë denoncimet e ngritura prej tij, por që sipas kryetares ato janë të pavërteta.  

Sipas Sakos, Braho duhet t’i bëjë denoncimet në institucionet përkatëse.

Braho ka folur në emër të institucionit për çështje të pavërteta. Është marrë vendimi që të lirohet nga detyra dhe të jetë i lirë të bëjë denoncimet përkatëse në institucionet përkatëse”, u shpreh ajo.

Kryetarja e emëruar, Emiriana Sako liroi nga detyra zv.kryetarin e bashkisë, Arbër Braho në datën 9 nëntor, por në shkresën e firmosur nuk dha asnjë motivacion për vendimin e largimit.

Nga ana tjetër, Arbër Braho, i cili u shkarkua nga detyra dy ditë më parë, nga kryetarja në detyrë Emirjana Sako, ka folur për mediat.

Për “News24”, ai ka thënë se ju qëndron akuzave që ka drejtuar ndaj Vangjush Dakos dhe kryetares së komanduar.

Ai tha se në Bashkinë e Durrësit komandon ende Vangjush Dako, duke treguar se ky i fundit dhe Sako takohen çdo dy ditë.

“Zonja Sako dhe zoti Dako takohen çdo dy ditë te restorant Piazza për direktiva. Këto janë të regjistruara”,- tha Braho.