NGA BUJAR QESJA

Të dielën e 20 shkurtit të vitit 2022, u përcoll për në banesën e fundit një figurë madhore sportive. Mund ta quajmë si të mundemi kalorës, gjigand, kolos, mbreti i koshit, gjeniu i topit etj. Që të gjitha i meriton. Bëhet fjalë për mrekullinë e basketbollit Niko Hercek. Nuk po shtrihem për të dhënë komente, se cilët munguan në këtë lamtumirë të fundit, që ishin të detyruar të prezantoheshin aty. Bënë mirë apo keq në dorë të tyre ky gjykim. Njerëzit folën dhe ia dhanë notën çdo të munguari. E ritheksojmë: e kishin domosdoshmëri të ndodheshin aty.

Përkundrejt këtij sfondi gri të një dhimbje të ndjeshme, kultura tradicionale, ajo që quhet historia dhe mënçuria e sportit, foli me pastërtinë e zemrës dhe dhëmbshurinë e shpirtit. Tri vite ka luajtur Niko Herceku me “Partizanin”. Është periudha 1958-1960. Tri vite kampion dhe Herceku në majë të topkoshit shqiptar. Kapiteni i ekipit përfaqësues dhe dominues në ekipin kuqezi. Për këtë arsyje erdhën nga Tirana dhe e nderuar këtë fisnik të basketbollit Astrit Greva dhe Terezina Greva, Pata zemër artë, Qemal Shalsi, Gavrosh Kavaja dhe ai më i miri Agim Fagu. Ishin edhe veteranë të basketbollit durrsak, shokë të kohës së Hercekut si Gjon Luli, Fatos Hyka, Xhoxh Nushi etj. Por ky grup i “Partizanit” veçonte në mesazhin që dhanë.

Niko Hercek ka luajtur me “Partizanin” 62 vite më parë dhe në shumicën e kohës ishte pronë e “Lokomotivës” së tij. Ndonëse 62 vite të shkuara, shokët e “Partizanit” nuk e harruan Niko Hercekun. Ia çmuan meritat. Iu përkulën emrit të madh që la. Por më bëri përshtypje Agim Fagu. Madhështor si basketbollist, akoma më madhështor si njeri. Në njërën dorë mbante një tufë me lule të freskëta dhe në dorën tjetër tri trëndafila, këputur në kopështin e mirësisë së tij.

Mjeshtrit të topkoshit durrsak Fatos Hyka, i bëri përshtypje kjo pamje e Fagut. Dhe e pyeti:

-Mirë tufa me lule duhet të jetë e jotja, por këto tri trëndafila si mund t’i lexojmë?

Fagu i mirë, buzëqeshi dhe foli:

-Niko Herceku nuk ka për t’u harruar kurrë nga ne të Klubit sportiv “Partizani”. Pjesa tjetër është historia e huaj dhe çmojeni si ta mendoni e gjykoni. Tri trandafilat kanë simbolikë: Njëra është e babait tim, krijuesit të klubit sportiv “Partizani” Besim Fagu. Tjetra e të madhit sportist, dajës tim Masar Aga. Dhe e e treta është në emër të klubit sportiv “Partizani”, që Niko i juaj dhe i yni e përfaqësoi me shumë personalitet.

Një simbolikë nderuese edhe për ne që sapo e mësuam, e jo më për të shkëlqyerin Agim Fagu. Ky është një mesazh për brezin e ri, pasi një brez paraardhës kanë vendosur ura të një miqësie të rrallë, që edhe në largimin nga jeta me 20 shkurt 2022 të Niko Hercekut, u prekën dhe u përcollën në mënyrën më të ndjeshme dhe më emocionuese.

Faleminderit Agim Fagu që e nderove Niko tonë kështu!

Një mirënjohje që do të mbetet e gjallë, si vetë figura e ndritur e të madhit Niko Hercek.

Durrës, 22 shkurt 2022