Peshëngritësi i njohur durrsak Kreshnik Leka, disa ditë më parë, u shpall kampion Evrope në stilin e shkëputjes, në Kampionatin Evropian Masters të organizuar në Poloni.

Dashuria e madhe për këtë sport, e ka bërë Lekën që përgjatë këtyre viteve, pavarësisht moshës, të vijojë të stërvitet intensivisht dhe të marrë pjesë në kompeticione të ndryshme.

Për të, emocionet mbeten të njëjta në çfarëdolloj moshe, por tani, kur ka dhe fëmijët të pranishëm në arritjet e tij gëzon dyfish.

Për Lekën, lidhja me sportin është e pandashme, madje edhe pasi kaloi një gjendje të vështirë shëndetësore, kohë më parë.

Ashtu si Kreshnik Leka ka dhe shumë sportistë të tjerë, që pavarësisht se e kanë mbyllur ciklin aktiv, kanë dëshirë të aktivizohen në kompeticione të ndryshme Master. Leka bën të ditur se për këtë arsye do t’i drejtohet Ministrisë së linjës për mbështetje financiare, sidomos në rastet kur elementë të caktuar kthehen me medalje dhe nderojnë vendin në arenën ndërkombëtare.

Objektivi i radhës i peshëngritësit Kreshnik Leka është kampionati Botëror i Peshëngritjes Masters, që do të mbahet në fund të vitit në SHBA. Edhe atje, Leka synon zonën e medaljeve.

Kreshnik Leka u shpall kampion në stilin e shkëputjes duke ngritur me sukses 115 kg, në Evropianin e shtangës të zhvilluar në Raszyn të Polonisë. Leka, i cili është shefi i Klubit Shumësportësh Teuta, garoi në kategorinë 96 kg, mosha 45 deri 49 vjeç.

M.B.