*Nga Poliandër Mele

Sokol R. hoqi pikturën e vjetër nga muri i lokalit të tij dhe tha: – Këtu duhet pikturuar patjetër një murale. Amiko! Një kombinim artistik, diçka e veçantë. Një freski deti, një perëndim i flaktë, por dhe një simbol. Simbol mbi ngjarjet e shkuara dhe të ardhme. Kjo tavernë nuk është normale. Kjo është një zgarë durrsake, e cila duhet trajtuar me respekt si e tillë. Një zgarë durrsake është një traditë e çuditshme. Është një kombinim mesdhetar i tavernave të Romës dhe të Adrias. Vetë perandori Adrian e kishte shprehur dashurinë ndaj tavernave të Adriatikut. Madje i kishte përjashtuar nga sistemi i taksave, pasi i konsideronte si shërbim i detyrueshëm ndaj qytetarëve të tij!

Melodia në brigjet e Ilirisë, me lirën e Orfeusit vjen herë e ëmbël si perëndim dielli dhe herë e ashpër si dallgë të shumëzuara që të përmbysin.

Për të pikturuar këtë peizazh nuk është e thjeshtë. Për më tepër, për studentin e dikurshëm artist, Sokolin, i cili pas jetesës së tij studentore dhe vështirësive konviktore, vijoi arratisja ishullore brigjeve të Egjeut,për vite të tëra gjysmë jetësore.

Atje u dashurua pas jetesës sociale, njerëzve, punës së ndershme, lirisë dhe respektit për njëri tjetrin, por sidomos me madhështinë e perëndive. Rodosi! Mikonosi! Santorini!

Udhëtimet e Odiseut, bëmat e Herkulit, pëlhura e Penelopës! Këto janë frymëzime artistike. Kokteil me lëng pompelmi, fiq deti, lëng molle, me det rrethuar nga të katër anët.

Kjo është një tablo pikture. Një murale! Muralet janë art i vërtetë, i prekshëm, real. Nuk janë skica grafike web-i të dizajneve kompjuterike dhe virtuale. Duhet të jesh piktor i vërtetë që të shëndrosh një faqe muri, në pikturë poezi, përmes një arti të lashtë.

Nga larg, vinte përmes një rrugë e ngushtë me kalldrëm, me një veshje të çuditshme, piktori Ilir. Një çantë mbante plot mjete, lapsa, bojëra, ngjyra, penela. Aty fshihej dielli, retë, deti, kodrina, shtëpizat e bardha dhe bojë qielli.

Piktor nga Iliria. Autentik. Ilir. Është i vetmi që mund të lidhë detaje frymëzuese me terrenin e specifik. Qytetarë të uritur, që nga koha e Adrianit, të pangrënë, të cilët as që do të dinin ta shpjegonin përsenë!

Ato thjesht do të shohin tablonë. Muralen. Pikturën. Ata do të shijojnë verën e kuqe dhe mishin e pjekur do të kërkojnë ushqime të shijshme.

– Në mesdhe ushqimi të shijon, Amiko! – insiston Sokoli, – Djathi dhe vera janë traditë e hershme! – i thonte mikut të tij Griseld H., operator në mediat e qytetit antik.

Oqi ore amiko, kam njëzet e dy vite në emigracion. Kam vajtur që në vitin nëntëdhjetë e katër, në nëntëdhjetë e nëntën fillova me siguracione, se Greqia ishte me dhrahmi, atëherë, kala esi tora!? Greqia është një vend mik, na kanë pritur mirë. Është një vend mesdhetar, me kulturë dhe miqësor. Kemi edhe ne historinë tonë, kulturorën tonë, o Thanas!

Edhe ne kemi luftuar! – thotë Sokoli.

– Kam punuar njëzet e dy vite brigjeve të Egjeut.

Njëzet e dy vite si Odise kam lëvizur, njësoj si njëzet e dy bëmat e Herkulit! Të njëzetë e dy sekretet e zgarës i kam mësuar. Të zgarës mesdhetare dhe bregdetare. Tani jam vendosur në Dyrrah. Zgara ime tani është zgara durrsake!

Klaudio pin verë së bashku me Martinin. Ata i njohin mirë zgarat dhe tavernat, skutat dhe abiset. Aty ku humbet mendimi tokësor dhe ndërgjegjja kalon në plan mjegullor.

Kurse piktori Ilir vijon të pikturojë muralen mbi murin e zgarës durrsake!

Një ishull, një këmbanore, një diell në perëndim. Disa kodra pas bregut, të gjelbra, të lakuara. Një qendër me sheshin e skalitur. Statuja e Herkulit, simbol i qëndresës dhe i vuajtjeve. Bukuroshja bionde. Nga Iliria. Nga Epiri. Nga Egjeu. Nga Mikonosi. Nuk ka një geografi fikse mbi përcaktimin e biondeve të mesdheut. Nuk dihet nëse janë turiste apo autoktone. Por dihet se ato bijnë në sy me sjelljen e tyre të çiltër. Intrigojnë syun, intrigojnë shikimin, intrigojnë viktimat e shikimeve të tyre si sirenat melodioze shpirtmagnet, thithëse të dëshirave dhe të epsheve, të shfrenimit dhe të papërmbajtshmërisë!

Amiko, një bionde te muralja, atje në Mikonos, te zgara durrsake, është mbarësi, është Artemisa e prodhimit dhe e ushqimit! Pini ju o njerëz të mirë! Pini se një bionde që ju deh, është një Artemisë që ju mbron, si dhe një Hermes që ju këndon, ju lajmëron për historitë e çuditshme të këtij vendi të bekuar. Gëzuar o miq dhe mirë se vini. Pini këtu, tavernave mesdhetare, ku kanë filluar të mblidhen sërish edhe shumë turistë të huaj nga tërë anët e botës! Ata tani i kanë zbuluar këto mrekulli, të cilat vijnë ti shijojnë këtyre brigjeve.

Pini ju o njerëz të nderuar, pasi ju tashmë e keni deklaruar edhe vetë, se pija nuk ju zë. Ama, jo bjondet! Ato janë krejt tjetër gjë!

– Gëzuar, për biondet! – thotë Martini.

– Gëzuar! – thonë të tjerët.

I lumturi piktori Ilir, që me punën e tij të respektuar, me kombinimin e ngjyrave dhe formave, vulos me penelin e tij, artin mistik. Një simbol, një muzikë, një tingull në perëndimet magjike të muraleve mesdhetare, një kënaqësi e madhe, në shoqërinë e melodive të lirës së Orfeusit, thotë me gjuhën ilirike:

“Mirë se vini në zgarën durrsake, në Mikonosin e muraleve magjike, të pikturuara me ngjyra mesdhetare nga piktori Ilir!”

Dyrrah, nëntor 2022

Poliandër Mele është shkrimtar dhe analist durrsak