“Ftesë në studio”, njëlloj si vëllimi me të njëjtin titull i Ismail Kadaresë mund të përkufizohet ekspozita që u ka prezantuar kolegëve dhe miqve të tij artistë piktori Muhamed Malilaj.

“42 punimet që i përkasin periudhës së parë të krijimtarisë sime deri në vitin 1984 i kam emërtuar “N’Mug”, duke iu referuar poezisë së Lasgush Poradecit për kalimin nga drita në errësirë“, – tregon piktori Malilaj.

Ai thotë se preferon si vend ekspozimi studion në krahasim me një galeri artesh, për arsye se tani më shumë se asnjëherë artistët dhe njohësit e artit kanë nevojë të bashkëbisedojnë.

“Ne duhet të diskutojmë për zhvillimet në pikturën e njeri-tjetrit, dhe po ashtu duhet të kërkojmë rrugë të reja në artin tonë”, – shton Malilaj.

Artisti nga Kavaja, i diplomuar në Institutin e Lartë të Arteve (sot Universiteti I Arteve) në vitin 1981, ndalet para një tabloje të punuar si student, duke kujtuar pedagogun Bujar Asllani, i cili e këshilloi ta ruante portretin në shtëpi.

Njëlloj vlerëson kontributin e grafistit kavajas Musa Qarri, i cili pasi njohu talentin e gjimnazistit në mesin e viteve 1970 e nxiti atë të marrë pjesë në ekspozitat lokale.

Në studion e piktorit Muhamed Malilaj në lagjen nr.1 të qytetit bregdetar janë ekspozuar natyra të qeta, peisazhe, portrete e kompozime, ndërsa në ciklin prej 10 ekspozitash të karrierës së tij, tani e kanë radhën vizatimet.

G.K.