Piktorja Marjana Goxhabelliu ka hapur prej disa ditësh ekspozitën e saj personale në galerinë e artit pamor “Nikolet Vasia”, në qytetin e Durrësit.

Me mbi 40 punime të kryera në teknika të ndryshme, piktorja shpalos shumë nga bota e saj shpirtërore.

Kërkimi maksimal i dritës dhe thellimi në misterin e ngjyrave, ku dominojnë ato të fortat, janë boshti kryesor i të gjitha tablove, që ajo sjell për artdashësit durrsakë.

Në tablotë e Goxhabelliut shpirti dhe identiteti i saj artistik flasin përmes formave abstrakte dhe ngjyrave. Në ekspozitë ndodhet edhe një tablo me përmasa të konsiderueshme, 10 me 3, të cilën vetë artistja e ka titulluar “Epoka’.

Siç rrëfen vetë ajo, në përfundim të kësaj vepre realizimi i së cilës i mori rreth 1 vit, Marjanës iu duk sikur u zbraz shpirtërisht, pasi një pjesë e përjetimeve të saj personale derdhen nga dora në penel dhe më pas në telajo.

Ekspozita personale e piktores Marjana Goxhabelliu do të qëndrojë e hapur deri më 28 maj.

M.B.