Pishina olimpike “Taq Dafa” këto ditë është plot me fëmijë të vegjël, shumica prej të cilëve e frekuentojnë atë rregullisht.

Një ditë më parë, “DurrësLajm” trajtoi problematikën e pishinës olimpike, e cila shfaq mangësi infrastrukturore. Këto pranohen edhe nga administratori i saj, trajneri Gjergj Ngresi. Këto mangësi u bënë shkak që dhe turneu mbarëkombëtar “Teuta cup”, që zhvillohej prej disa vitesh të anulohej.

“Ka disa probleme, pllaka të rëna, pllaka të thyera dhe si imazh nuk është shumë i mirë. Infrastruktura lë për të dëshiruar. Por vitin tjetër, pas rikonstruksionit, do të jetë kryevepër fare”,– tha Ngresi.

E hapur që në vitin 2015, pishina “Taq Dafa” është vendi ku stërviten shumë notarë të ekipit të Teutës, por edhe fëmijë të vegjël, që duan të mësojnë notin.

“Kjo pishinë është në gjendje optimale për stërvitjen e ekipeve, por edhe për fëmijët. Qëllimi i kësaj pishine është t’u mësojë fëmijëve notin dhe ekipi i Teutës të bëjë stërvitjen. Këtu vijnë edhe shumë durrsakë, që e shfrytëzojnë për të bërë not”.

Pas përfundimit të sezonit veror, pishina olimpike pritet t’i nënshtrohet rikonstruksionit total.

Fëmijët që e frekuentojnë rregullisht atë janë mjaft të kënaqur dhe stërviten rregullisht aty.

Më të vegjlit shoqërohen shpesh nga prindërit e tij, të cilët janë të kënaqur me kushtet, por ngrenë shqetësimin edhe për gjërat që duhet të rregullohen.

Sipas trajnerit Ngresi, projekti i rikonstruksionit të pishinës është gati në bashki dhe rikonstruksioni i saj është çështje muajsh.

M.B.