Festat e fundvitit supozohen të jenë një nga periudhat më të bukura të vitit, por kjo gjë nuk mund të thuhet për rreth 3800 familjet durrsake, që përfitojnë bonusin e qirasë. Megjithëse jemi në ditët e fundit të vitit 2021, shumë qytetarë pohojnë, se nuk e kanë marrë ende bonusin për muajt nëntor dhe dhjetor. Vonesat në kalimin e parave nga Thesari i Shtetit në llogaritë bankare të qytetarëve variojnë nga 2 deri në 3 muaj.

Sikur të mos mjaftonin vonesat në kalimin e bonusit, këto ditë qytetarëve të dëmtuar nga tërmeti u duhet të rinovojnë dokumentat e përfitimit të bonusit të qirasë. Ata janë paraqitur pranë Njësive Administrative për të realizuar këtë proces.

“DurrësLajm” kontaktoi me kreun e NJA nr.5, Erjon Meka i cili shpjegoi se nuk është data 24 dhjetor afati i fundit për dorëzimin e dokumenteve.

Sipas Mekës, këto ditë qytetarët janë marrë në telefon sipas listës nga personeli i njësisë, në mënyrë që të mos krijohet fluks dhe grumbullim qytetarësh.

“Rinovimi është i domosdoshēm pasi mund të ketë qytetarë që kanë ndërruar jetë, mund të jetë futur në shtëpi të reja etj”,– tha Meka, ndërsa shtoi se qytetarët nuk kanë pse të nxitojnë pasi askush nuk u ka thënë se 24 dhjetori është afati final.

K.Gj.