Hapësirat publike në shëtitoren “Taulantia”, që nga dita e sotme, u janë rikthyer qytetarëve.

Siç duket edhe nga pamjet filmike që sjell operatori Sokrat Toçi, nga shëtitorja bregdetare janë larguar të gjitha tavolinat dhe karriket e lokaleve.

Drejtori i Policisë Bashkiake, Vasip Çopa, konfirmon për “DurrësLajm” se aksioni i nisur këtë të hënë do të vijojë përgjatë gjithë vijës bregdetare, edhe në zonën e plazhit dhe Shkëmbit të Kavajës.

Të gjitha subjekteve private, që kanë zënë pa leje hapësirat publike u është kërkuar të largojnë vetë karriket dhe tavolinat, pasi në të kundërt ndaj tyre do të merren masa administrative.

Jashtë kamerës, disa pronarë konfirmojnë se janë njoftuar përmes një shkrese zyrtare, të enjten e javës së kaluar për këtë aksion. Por për ta ndërhyrja për lirimin e hapësirave publike, tashmë kur ka nisur zyrtarisht sezoni turistik, nuk është e drejtë.

Çopa konfirmon se përgjatë gjithë sezonit efektivët e Policisë Bashkiake do të monitorojnë nga afër situatën, për të ndëshkuar shkelësit e ligjit.

Një tjetër objektiv parësor i punës së kësaj policie mbetet ruajtja e mjedisit nga ndotësit e tij. Prej javësh tashmë, policia Bashkiake ka vijuar me njoftimet audio me megafon për sensibilizimin e subjekteve/qytetarëve në lidhje me orarin të hedhjes së mbeturinave,

Apeli për një mjedis të pastër dhe respektimit të vendit të depozitimit të mbetjeve dhe orareve për hedhjen e tyre u bë ditë më parë edhe nga kryebashkiakja Emiriana Sako.

Ndërkohë, gjatë këtyre ditëve, nuk kanë munguar edhe masat e para administrative ndaj shkelësve.

M.B.