Policia Bashkiake Durrës është paraqitur pak minuta më parë pranë shkollës artistike “Jan Kukuzeli” për të marrë çelësat e sallës “Black Box”, në të kundërt do të ndërronte bravën e derës.

Drejtoresha e këtij institucioni arsimor Adriana Gjepali bën të ditur për “DurrësLajm” se është gjendur para kësaj kërkese të çuditshme, që sipas saj është dhënë nga bashkia dhe i është transmetuar gojarisht nga Policia Bashkiake.

Deri më tani, çelësat e sallës ku zhvilloheshin aktivitetet artistiko-kulturore të së vetmes shkollë artistike në qytet mbaheshin nga drejtoria e shkollës.

Por pasditen e sotme, policia bashkiake është paraqitur për të kërkuar çelësat, pa asnjë shkresë apo komunikim zyrtar paraprak lidhur me arsyet e kësaj kërkese, që sipas drejtoreshës Gjepali është absurde.

Për këtë veprim, drejtoresha bën të ditur se ka bërë denoncim edhe në polici.

Bëhet e ditur se Policia Bashkiake është larguar nga ambientet e shkollës pa marrë çelësat dhe oa ndërruar bravën e derës së sallës, por ndërkohë një mjet i kësaj policie po qëndron jashtë oborrit, siç duket edhe në foton që po publikojmë.

Ndërkohë burime zyrtare nga bashkia bëjnë të ditur se salla “Black Box” është pronë e bashkisë dhe marrja e çelësave në dorëzim është bërë për arsye sigurie dhe mirëmbajtjeje.

Por ajo që e bën edhe më të çuditshme situatën është fakti se më datë 24 qershor shkolla artistike ka konkurset e pranimit për vitin e ardhshëm, konkurse që zhvillohen pikërisht në këtë sallë!!!

M.B.