Drejtoria Vendore e Policisë Durrës ka reaguar zyrtarisht pas deklaratës së bërë nga kreu i Lëvizjes “Shqipëria Bëhet”, Adriatik Lapaj, i cili denoncoi një incident të ndodhur gjatë një takimi elektoral të kandidates së tij, Valbona Myhedin, në lagjen nr. 8 të qytetit.
Në deklaratën e saj, Policia sqaron se sapo është njohur me denoncimin publik të bërë nga z. Lapaj, ka nisur menjëherë verifikimet në terren dhe ka identifikuar autorin e dyshuar.
Rreth orës 21:15, efektivët kanë lokalizuar dhe shoqëruar në ambientet e Policisë shtetasin A. B., 45 vjeç, banues në Durrës. Gjatë kontrollit fizik, këtij shtetasi iu gjet një pistoletë plastike (lodër), e cila dyshohet se u përdor për të kërcënuar kandidaten Myhedin, duke e ekspozuar përmes xhupit.
Sipas Policisë, 45-vjeçari vuan nga probleme të shëndetit mendor dhe është i njohur për autoritetet si pacient i evidentuar nga shërbimet psikiatrike.
Ndërkohë, vetë kandidatja Valbona Myhedin është paraqitur në Komisariat dhe ka bërë kallëzim zyrtar për ngjarjen. Prokuroria ka nisur veprimet procedurale ndaj autorit.
Policia thekson se është tërësisht e angazhuar për të garantuar rendin dhe sigurinë gjatë procesit zgjedhor, duke mbajtur barazi ndaj të gjitha subjekteve politike dhe duke vepruar vetëm në përputhje me ligjin.