E përlotur u shfaq në skenë Mendi Kabashi, vajza e të madhit Mirush Kabashi, i cili u vlerësua në 76-vjetorin e lindjes me titullin “Qytetar Nderi” i Durrësit (pas vdekjes). Ishte bashkia Durrës dhe Këshilli Bashkiak që i akorduan “Nderit të kombit” këtë titull të lartë, që aktori i madh i skenës dhe ekranit e ka fituar me talentin dhe mjeshtërinë artistike të shfaqur gjatë dekadave të karrierës së tij.

Gjatë ceremonisë së zhvilluar në teatrin “Aleksandër Moisiu”, aty ku Mirushi hodhi hapat e parë dhe nisi karrierën e gjatë artistike, familjarët, miqtë dhe kolegët patën mundësi të ndjekin të plotë intervistën e fundit, që Kabashi dha pak para ndarjes nga jeta.

Në një rrëfim shumëplanësh për jetën dhe karrierën, Kabashi rrëfeu shumëçka nga kujtimet e tij që lidhen me teatrin dhe kinematografinë shqiptare.

Vëllai i tij, Kujtim Kabashi tregon mes lotësh dashamirësinë e madhe që populli i Durrësit tregoi për aktorin e madh.

“Publiku i Durrësit ka qenë kulla që e ngriti Mirushin deri këtu, ku e njohim të gjithë. Populli i Durrësit për 23 vite e ka duartrokitur Mirushin me zemër”.

Mirush Kabashi është nderuar me shumë tituj gjatë karrierës së tij të gjatë, ndër të cilat edhe “Nderi i Kombit”. A mund të quhet i vonuar ky titull i dhënë pas vdekjes?

“E kam dëgjuar shpesh këtë pyetje dhe të gjithë thonë pse post mortum. Ndoshta ndodh sepse ne mendojmë se ata nuk do të vdesin, nuk do të kin kurrë…”- thotë regjisorja Driada Dervishi.

M.B.