Veprimtaria tregtare e Portit të Durrësit në 3 mujorin e parë të vitit 2022, ka regjistruar rritje krahasuar me të njëjtën periudhë të dy viteve paraardhëse, janar- mars 2020/2021.

Sipas të dhënave nga Divizioni i Financës pranë Autoritetit Portual Durrës, përpunimi i mallrave përgjatë kësaj periudhe ëshët rritur me +7% në krahasim me 2021, ose 64,062 mijë tonë më shumë se sa në tre mujorin e pare të vitit që lamë pas. Në total, në Portin e Durrësit janë përpunuar 933,895 tonë mallra nga anijet dhe tragetet që kanë transportuar ato në rrugë detare.

Po të njëjtat burime, saktësojnë se muaji mars 2022 ka njohur rritje të ndjeshme të mallrave të përpunuara krahasuar me të njëjtin muaj të një viti më parë, konkretisht me 44 % më shumë mallra të përpunuara ose 101 mijë tonë më shumë se mars 2021.

Po ashtu, mësohet se gjatë periudhës janar- mars 2022 në portin më të madh të vendit, rritjen më të ndjeshme e kanë patur eksportet, me 40% më shumë ose 98,310 tonë mallra më shumë krahasur me të njëjtën periudhë të njëjtën periudhë të vitit 2021.

Kjo performancë konfirmon indikatorët e rritjes ekonomike në vend, të cilat kanë reflektuar gjithashtu një rritje prej 49% në sektorin e eksporteve në vend krahasuar me vitin parardhës .

Statistikat zyrtare pranë portit të Durrësit, konfirmojnë se rritja e aktivitetit përpunues në terminalet portuale është reflektuar edhe në numrin e pasagjerëve që kanë zgjedhur të udhëtojnë nëpërmjet linjave detare të Portit të Durrësit me portet italiane.

Konkretisht, nëpërmjet linjave detare, nga Porti i Durrësit kanë udhëtuar 110 mijë pasagjerë dhe mbi 42 mijë vetura, traliera dhe kamionë të përpunuar, shifra këto të cilat krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2021, pasqyrojnë një rritje prej 27% sa u përket sektorit të pasagjerëve ose 21,791 pasagjerë më shumë.