Komisioneri i Zgjerimit, Oliver Varhelyi, i është përgjgijur letrës së opozitës në lidhje me portin e Durrësit, të cilën e kanë konsideruar si një ndër aferat më të mëdha në historinë e vendit tonë.

Letra e deputetëve të PD i drejtohej zëvendëspresidentes së BE, Margrethe Vestager. Por në vend të saj, opozitës i është përgjigjur Varhelyi.

Në letrën e tij, Varhelyi thekson se “Komisioni Europian i kushton një rëndësi të jashtëzakonshme përputhjes me MSA-në”.

“Në këtë kontekst, në komunikimet me autoritetet shqiptare, Komisioni ka nënvizuar nevojën për të siguruar që projektet e kësaj marrëveshje të nënshkruar në vitin 2020 mes Shqipërisë dhe Emirateve të Bashkuara Arabe, përfshirë edhe rizhvillimin e Portit të Durrësit, të jenë në përputhje me parashikimet e MSA, në veçanti në fushat e prokurimeve publike dhe ndihmës shtetërore”.

Varhelyi thotë se një qëndrim i tillë i është bërë i qartë palës shqiptare edhe gjatë Këshillit Shqipëri-BE të mbajtur më 16 mars.

“Projektet duhet të jenë në përputhje me parimet e transparencës, konkurrencës, trajtimit të barabartë dhe mos-diskriminimit,” thuhet në letër.

Po ashtu, Varhelyi konfirmon se BE e ka anuluar fondin që ishte vendosur për Portin e Durrësit pasi qeveria shpalli se porti tregtar do jetë në Porto Romano.

Në letër thuhet se po shihet mundësia se si do përdoren këto fonde pas anulimit.