Deputeti i Partisë Demokratike në Durrës, Oerd Bylykbashi në një pronocim për mediat shprehet se primaret janë një moment i rëndësishëm dhe se procesi për qarkun e Durrësit po shkon shumë mirë.
Bylykbashi thotë se deri tani ka një interes të lartë të demokratëve që votojnë.
“Sot ka hapur siparin një prej proceseve më demokratike. Janë Primaret e PD-së për të përzgjedhur në fazën e parë kandidatët që do t’i nënshtrohen më tej gjykimit të PD-së për listat e zgjedhjeve të 11 majit 2025 për Kuvendin e Shqipërisë. Janë një moment i rëndësishëm sepse anëtarësia do të përcaktojë me votë, kush do t’i përfaqësojë ata dhe shqiptarët që do të duan të votojnë më 11 maj ndryshimin.
Procesi ka nisur në orën 08:00 me një interes të lartë, fluksi është i lartë që në fillim, me një rregullshmëri maksimale. Procesi deri tani po shkon shumë mirë në të gjithë qarkun e Durrësit”, tha ai.
Ndër të tjera, Bylykbashi kujton se kandidatët fitues për të kaluar në fazën tjetër duhet të marrin së paku 130 vota.