Në vazhdën e aktiviteteve kulturore për javën e dedikuar muzeve, në Muzeun Arkeologjik të Durrësit u bë promovimi i librit “Kërkime Arkeologjike” i arkeologut të njohur dhe ish-drejtorit të muzeut Afrim Hoti.

Libri është një përmbledhje artikujsh shkencorë, të cilët i përkasin viteve 1980-2000.

Gjatë fjalës së rastit, mbajtur në mbrëmjen letrare, Hoti u shpreh se libri është një homazh për arkeologët që kanë kontribuar në vendin tonë dhe ai është pjesë e një kolane që pritet të botohet në vijim.

Hoti gjithashtu vuri theksin në rëndësinë e arkeologjisë dhe asaj çfarë ajo mbart në Durrës, duke e cilësuar qytetin jo si një pjesë periferike të civilizimeve mesdhetare, por si një rezervat të rëndësishëm të saj.

Për arkeologun e njohur, zbatimi korrekt i legjislacionit për ndërtimin dhe infrastrukturën nga institucionet dhe privatët do të ishte një mbrojtje më shumë për arkeologjinë, gjë që në disa raste nuk ndodh.

Ky takim letrar ishte i pari i këtij lloji i mbajtur në ambientet e Muzeut Arkeologjik Durrës, pas rihapjes së tij pak javë më parë.

M.B.