Copëza kujtimesh, bisedash, batutash, momentesh gazmore të shkruara përgjatë 50 viteve në copa letrash apo fletore, por që tani vijnë në formën e një libri me titull “Duke pirë një kafe, rrëfenja tavoline… dhe me Osman Rexhën”. Mjeshtri i madh Haxhi Rama promovoi sot librin e tij më të fundit, rezultat i një bagazhi të madh kujtimesh të mbledhura ndër vite.

“Janë përgjithësisht personazhe të vërtetë, realë. Libri ka brenda figura që janë Nderi i Kombit si Vaçe Zela, Fadil Hasa, Mirush Kabashi, Reshat Arbana, Kadri Roshi etj. Janë e gjithë historia ime në këto piketat e vogla”,– thotë Haxhi Rama për “DurrësLajm”.

Aktorja e madhe e skenës durrsake, Aishe Stari, e cila ka bashkëpunuar për shumë vite me radhë me Ramën në estradën e qytetit, ndihet e lumtur për punën e konkluduar në këtë libër që sjell kujtime të vyera për shumë figura të njohura të artit dhe skenës. Por Stari ka edhe një tërheqje vëmendjeje për mikun e saj të vjetër.

“Xhixhi nga natyra është një njeri që i punon truni, siç themi ne durrsakët dhe unë jam një nga ato që rri e nxis që të merret me krijimtari. Është një njeri shumë i mirë dhe me shumë fantazi, por është pak dembel”,– thotë aktorja Stari, ndërsa vë buzën në gaz kur vë në pah të metën e vogël të mikut të saj të dashur.

Për shkrimtarin Bashkim Hoxha, një nga vlerat më të mëdha të këtij libri është që këto histori urbane që lidhen me figura të njohura dhe me jetën e një qyteti, tashmë mund të ruhen në raftet e bibliotekave dhe të mos rrezikojnë harresën nga koha që kalon e nuk kthehet më.

“Ka një ndërthurje të të gjitha historive urbane që ne kemi dëgjuar brez pas brezi, ku herë kemi qenë prezent e herë jo, vetë Haxhi Rama herë ka qenë prezent e herë jo. Ka bërë gjënë më të mirë që ka përmbledhur këto histori që të gjitha së bashku sjellin pjesë të vogla të një tabloje të madhe të jetës në qytetin tonë, por dhe në botën e atit. Koha kalon dhe historitë mbesin gjithnjë e më larg. Është gjë shumë e bukur që tashmë ato mbesin në bibliotekë”,- thotë ai.

Në promovimin e librit të Haxhi Ramës merrnin pjesë shumë emra të njohur të skenës dhe letërsisë në Durrës, por edhe personalitete të jetës publike dhe politike në qytetin bregdetar. Promovimi i librit u moderua me profesionalizëm nga biblotekarja Teuta Dhima.

M.B.